Studentë nga e gjithë Serbia nesër do të mblidhen në Beograd për atë që planifikohet të jetë një protestë e madhe kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.
E kreu i shtetit serb tha sot se të gjithë prisnin që ai të frikësohej dhe të ndryshonte mendje me afrimin e 15 marsit, por se nuk do të ketë qeveri tranzitore “derisa ai të jetë gjallë” dhe u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të mos shkaktojnë trazira në tubimin e së shtunës dhe të gjithë qytetarët të mos përpiqen të rrezikojnë paqen dhe stabilitetin e vendit, raporton N1, transmeton Klan Kosova.
Vuçiq përsëriti pretendimet se tubimi ishte “ilegal”, por se Serbia ishte “vend dukshëm demokratik” dhe se “në vend të shkopit që do të përdornin Gjermania apo Franca”, ai do të ndihmonte në çdo mënyrë që tubimi të ishte plotësisht i siguruar dhe plotësisht paqësor.
“Ne do të bëjmë çmos që të sigurojmë pjesëmarrësit e atij tubimi dhe të gjithë njerëzit e tjerë, si dhe ata në Parkun e Pionierëve dhe të gjitha institucionet”, tha Vuçiq.
Ata që prishin qetësinë, shtoi ai, do të dënohen ashpër, kushdo që sulmon tubimin, edhe nëse është i paligjshëm, do të arrestohet menjëherë dhe çdo pjesëmarrës në tubim që sulmon këdo tjetër do të ndëshkohet ashpër.
Vuçiq theksoi se informacioni që shkopinjtë dhe kokteje molotovi u gjetën në një makinë në Beograd, ishte “shqetësuese”.
Presidenti serb i bëri thirrje policisë që të mos përdorë forcën “nëse nuk është absolutisht e nevojshme”.