Vuçiq: Ditë e natë shqetësohem për shkak të aleancës ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “është shumë i shqetësuar për aleancën ushtarake të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës”, duke pretenduar se “nuk bëhet fjalë për një aleancë ushtarako-teknike, sepse një aleancë mbrojtëse mund të shndërrohet brenda një dite në sulmuese”. Ai deklaroi se ka njohuri për planet dhe kërkesat e reja të Kosovës për armë shtesë nga Amerika dhe Turqia.

“Si president i Serbisë, më shqetëson shumë aleanca ushtarake e Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. Mos harroni se kjo nuk është një aleancë ushtarako-teknike, për bashkëpunim ushtarako-teknik. Për këtë, përveç me Prishtinën, nuk do të kisha asnjë problem. Kjo është një aleancë ushtarake. Ajo krijohet për mbrojtje ose për veprime ofensive kundër territoreve të caktuara. Kjo aleancë mbrojtëse për një ditë shndërrohet në sulmuese”, si zakonisht dramatizon Vuçiqi për konsum të brendshëm.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “Serbia kishte dijeni për disa takime që ata kishin zhvilluar dhe për veprimtarinë e tyre”, duke theksuar se “Beogradi kishte marrë menjëherë informacione për takimin, për të cilin ishte njoftuar me dy ditë vonesë, sepse kishin tentuar ta mbanin sekret”, transmeton Paparaci.

Ai ka thënë se Serbia pyet veten pse dhe kundër kujt është formuar kjo aleancë.

“Pse e formuat? Të gjithë jeni në NATO, Kroacia dhe Shqipëria, Prishtina jo, prandaj shtrohet edhe më shumë pyetja se si e keni formuar aleancën me ta. Veçanërisht shqetëson fakti se dimë për planet dhe kërkesat e reja të Prishtinës, e cila do të kërkojë armë shtesë nga Amerika dhe Turqia. Mësoj nga Prishtina se do të kërkojnë sisteme “Hawkeye”, për të cilat ende nuk kanë marrë miratim. Do të kërkojnë forcimin e “Javelin-ëve” dhe edhe armë të tjera nga Turqia. Kam një listë të plotë”, pretendon Vuçiqi.

Ai thotë se po bisedohet në nivelin e të tre entiteteve për të gjitha drejtimet e sulmit dhe të mbrojtjes.

“Për këtë kemi të dhëna të rëndësishme të inteligjencës. Por qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen, sepse fuqia e ushtrisë serbe po rritet nga dita në ditë me progresion gjeometrik”, pas dramatizimit, Vuçiqi i “qetëson” qytetarët e vet.

Ai ka shtuar se dje ka pasur bisedime shumë të rëndësishme dhe se Serbia po blen pajisjet më moderne, të cilat në Evropë asnjë ose vetëm një shtet i ka sot.

“Shqetësohem çdo ditë dhe çdo natë. Nuk e nënvlerësoj askënd. Nuk ka “do t’ia dalim lehtë”. Do ta kemi të vështirë, por ata do të kenë edhe më e vështirë”, përfundon Vuçiqi, si zakonisht, me kërcënime të kota./Paparaci.com