Vuçiq diskutoi me ambasadorin rus për projektet e përbashkëta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë

Pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian për bashkëpunim me Rusinë, Serbia po vazhdon t’i forcojnë lidhjet me shtetin rus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se ka zhvilluar një bisedë të hapur dhe konstruktive me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, duke u fokusuar mbi çështjet më të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.

Sipas tij, diskutimi ka pasur një theks të veçantë mbi fushën e energjetikës, e cila mbetet një nga sektorët më strategjikë për zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik të Serbisë, raporton nova.rs.

“Ne kemi shqyrtuar projekte të përbashkëta që kanë një rëndësi strategjike për vendin tonë, duke përfshirë investime infrastrukturore dhe projekte energjetike që do të kontribuojnë në forcimin e sistemit tonë energjetik. Gjithashtu, diskutuam mundësitë për furnizim të qëndrueshëm me gaz natyror, si dhe për projektet që do të sigurojnë energji të qëndrueshme për qytetarët dhe bizneset”, shkroi ai në Instagram.

Ai gjithashtu theksoi se beson fuqishëm se përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit të sinqertë dhe respektimit të interesave të përbashkëta, Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie të forta, të cilat garantojnë siguri, stabilitet dhe parashikueshmëri për vendin.

Vuçiq shtoi se këto marrëdhënie nuk ndikojnë vetëm në fushën ekonomike, por janë të rëndësishme edhe për stabilitetin politik dhe të ardhmen e rajonit.

Ai përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të bazuara mbi besim dhe respekt reciprok, të cilat sipas tij janë themeli i një bashkëpunimi afatgjatë dhe të frytshëm mes dy vendeve.