Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të mërkurën, në një intervistë për TV Informer, ka pretenduar se aktualisht Beogradin zyrtar nuk po e detyron askush të dialogojë me Kosovë, meqë, sipas tij, tashmë është e ditur se me zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës nuk është e mundur të bisedohet asgjë.
Sipas tij me vite të tëra shoqëria serbe nuk ka arritur të diskutojë në mënyrë serioze për shumë çështje, përfshirë edhe Kosovën.
“Sapo dikush thoshte diçka për Kosovën, shpallej i çmendur ose tradhtar. Sot askush nuk më detyron të dialogoj, sepse e dinë se me këta në Prishtinë nuk është e mundur të bisedohet për asgjë. Problemi është se ne, në mënyrë racionale, nuk ishim të gatshëm të diskutonim për këtë”.
“E kemi pritur momentin kur Prishtina ka krijuar një aleancë ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërsa Kroacia edhe me Slloveninë. Për këtë arsye do të vëreni se disa vende të rajonit nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë, që me praninë e tyre gjoja të mbajnë nën kontroll Serbinë. Pozita jonë është shumë e ndërlikuar”, ka theksuar Vuçiç.










