Vr*itet zëvendëskomandanti i marinës ruse

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e ka konfirmuar vrasjen e një komandanti të lartë të forcave të saj në rajonin e Kurskut. Gjeneral-majori Mikhail Gudkov raportohet se është vrarë bashkë me 10 persona tjerë nga një sulm raketor të Ukrainës në një post komandues.

Në afërsi të kufirit me Ukrainën është vrarë gjeneral-majori Mikhail Gudkov, zëvendëskomandant i marinës ruse. Lajmin e ka konfirmuar ushtria ruse.

Gjeneral-majori Gudkov, i caktuar nga presidenti rus Vladimir Putin në detyrën e zëvendëskomandantit të marinës në mars, është vrarë gjatë detyrës luftarake, siç ka bërë të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes, në rajonin perëndimor të Kurskut. Megjithatë, ministria nuk ka dhënë detaje të tjera rreth detyrës apo operacionit.

Sipas Oleg Kozhemyakos, guvernatorit të rajonit Primorsky, në Lindjen e Largët të Rusisë, në këtë incident kanë mbetur të vrarë edhe dhjetë persona të tjerë.

Disa raportime të pakonfirmuara, si nga ushtria ruse, ashtu edhe ajo ukrainase në rrjetin Telegram, bëjnë me dije se vdekja e gjeneral-majorit Gudkov dhe e dhjetë personave të tjerë ishte pasojë e një sulmi me raketë të Ukrainës në qendrën komanduese në afërsi të qytezës Korenevo, që ndodhet rreth 30 km larg kufirit.

Ukraina zyrtarisht nuk ka komentuar për sulmin, ashtu siç është e zakonshme për operacionet që kryen brenda territorit të Rusisë.

Më parë, Gudkov ka qenë komandant i Brigadës së 155-të të Këmbësorisë Detare të Flotës së Paqësorit, njësi kjo e përfshirë në luftime të ashpra në Ukrainën lindore dhe më vonë edhe në rajonin e Kurskut./rtk

The post Vr*itet zëvendëskomandanti i marinës ruse appeared first on Kosovapost.net.