Vrasja e Fidan Shabanit, vjedhja e 25 kilogramëve ari në Stacionin e Policisë në Pejë, arratisjet nga burgu, shantazhet e detyrimet, janë disa nga veprat penale ku përmendet emri i Arian Llukës, kosovarit që u arrestua sot nga autoritet kolumbiane në Aeroportin Ndërkombëtar “El Dorado”.
Lluka është një nga emrat më të përfolur në kronikën e zezë në Kosovë gjatë dekadës së fundit, i lidhur me disa prej rasteve më të rënda kriminale në Pejë.
Rasti që e bëri publik emrin e Arian Llukës ishte vrasja e Fidan Shabanit në vitin 2012 në Pejë.
Shabani dyshohej se ishte vrarë në një banesë pasi ishte joshur nga dorasja Besarta Kastrati-Haraxhi.
Sipas aktakuzës së Themelores në Pejë, Arian Lluka kishte ndihmuar në vrasjen e Shabanit. Prokuroria pretendonte se Lluka kishte ndihmuar në fshehjen e trupit, zhdukjen e provave dhe shkatërrimin e armës së përdorur në krim.
Ndonëse vetë ai kishte mohuar përfshirjen në vrasjen e Shabanit, ai kishte pranuar se kishte pasur një borxh në vlerë prej 10 mijë eurove ndaj viktimës.
Megjithatë, një ngjarje plotësisht tjetër e kishte rrëfyer e dënuara për vrasjen e Shabanit, Besarta Kastrati-Haraxhi.
Në një intervistë për Insajderin, Kastrati-Haraxhi kshte deklaruar se vrasjen e kishte kryer Arian Lluka dhe se ajo ishte detyruar ta merrte fajin përsipër pasi ishte kërcënuar nga Lluka.
Sipas Besartës, Lluka e kishte kërcënuar se do t’ia vriste vajzën dhe vëllain. Ajo kishte thënë se ngjarjen e kishte treguar në polici, por që sipas saj deklarata nuk është marrë fare parasysh.
Një tjetër rast ku emri i Arian Llukës u përmend ishte zhdukja e 25 kilogramëve ari nga Dhoma e Dëshmive në Stacionin Policor në Pejë — një prej aferave më të mëdha kriminale të raportuara në Kosovë.
Sipas dosjeve hetimore, Lluka dyshohej që ishte pjesë e grupit që kishte lidhje me nxjerrjen dhe shkrirjen e arit të sekuestruar nga policia. Prokuroria pretendonte se ari ishte shkrirë në tulla ari për t’u shitur jashtë Kosovës.
Prokuroria pretendonte se fillimisht Lluka ishte kontaktuar për transportimin e arit, ndërsa më vonë ai ishte përfshirë edhe në procesin e shkrirjes së tij bashkë me persona të tjerë të përfshirë në hetime.
Rasti lidhej me disa figura të njohura të botës kriminale në Pejë dhe me ish-zyrtarë policorë që dyshoheshin për keqpërdorim të pozitës.
Pas arrestimit nga Policia e Kosovës, Lluka ishte arratisur nga Burgu i Mitrovicës gjatë një vikendi të lejuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Ai nuk ishte kthyer për ta vuajtur dënimin dhe për muaj të tërë ishte konsideruar në arrati.
Në një intervistë për Kallxo, Lluka rrëfente se ishte larguar fshehurazi nga Kosova për në Serbi duke udhëtuar i fshehur në bagazhin e një veture.
Pas disa vitesh në arrati, autoritetet kolumbiane njoftuan sot arrestimin e Arian Llukës në Aeroportin Ndërkombëtar “El Dorado” në Bogota.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kolumbisë ai ishte në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.
Sipas autoriteteve kolumbiane, Lluka dyshohet se kishte përdorur dokumente serbe për të shmangur identifikimin dhe arrestimin ndërkombëtar.
Sipas raportimeve, Lluka përgjatë viteve të fundit kishte lëvizur në disa shtete të ndryshme, përfshirë Kolumbinë, Kilin, Turqinë, Zvicrën dhe Filipinet.









