Ishte koha kur të rinjtë e Kosovës shkonin ta kryenin shërbimin ushtarak në Jugosllavi dhe ktheheshin në arkivole. Shumë prej tyre vriteshin dhe familjeve u thoshin se ata kanë kryer vetëvrasje.
Por, historia e Aziz Kelmendit nga Lipjani ishte ndryshe, ndonëse me fund tragjik. Ish-studenti i Juridikut, po kryente ushtrinë në Paraqin të Serbisë në vitin 1987.
Fotografitë e varura në mur i ka mbetur kujtimi i vetëm për djalin. Prandaj, Sala Kelmendi, ka dëshirë që portretin e Azizit të ndjerë t’ia tregojë secilit mysafirë që shkon në shtëpinë e saj në Prizren.
78 vjeçarja që në vitin 1987 varrosi djalin e saj të vrarë 6 ditë para se ta përfundonte shërbimin ushtarak, tregonte për historinë e ditës së kobshme.
Azizi e kishte paralajmëruar nënën e tij për atë se çka do të ndodhte me të e djemtë tjerë shqiptarë.
Gjatë pushimeve nga shërbimi ushtarak, Azizi student i Juridikut, bisedonte me nënën për shqetësimet që e përcillnin në ushtri.
Për krimin e kryer në kazermën ushtarake ku u vranë 4 ushtarë serbë dhe 5 u plagosen të tjerë, e për të cilin është ngarkuar Aziz Kelmendi, familja e tij as sot e kësaj dite nuk e di se kush në të vërtetë e ka kryer.
Edhe vëllai i Azizit, Hajriz Kelemendi që sot punon si zyrtarë ligjor në zyrën e Avokatit të Popullit në Prizren, thotë se vrasja në vitin 1987 në Porterqan, ishte inskenim.
Në atë kohë, ushtria jugosllave nuk i kishin lejuar familjen ta shohin arkivolin.
Pushteti i asaj kohe po ashtu i kishte ndaluar njerëzit te dilnin ne varrim.
Për familjen ishte një goditje e madhe vrasja e Azizit i cili po planifikonte që pas ushtrisë ta vazhdonte studimet në Fakultetin Juridik.
Familja e Aziz Kelmendit, krenare me djalin e saj, sot e atë e dite nuk e di sigurt situatën në të cilën ka vdekur djali i tyre./Televizioni T7
Kush ishte Aziz Kelmendi?
Aziz Kelmendi lindi më 15 janar të vitit 1967 në fshatin Karaqicë të Komunës së Lipjanit. Ai ishte student i fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, me vendbanim të përhershëm në fshatin Dushanovë të Prizrenit.
Por, 20 vjeçari nuk arriti ta përballojë presionin e vazhdueshëm psikologjik që i bëhej nga eprorët dhe ushtarët serbë.
Kështu që me 3 shtator 1987 Aziz Kelmendi vrau katër ushtarë, pesë i plagosi dhe në fund mbeti edhe vetë i vdekur.
Ngjarja ndodhi në kazermën ushtarake në Paraçin, qytet në jug të Beogradit. Ushtari shqiptar, Aziz Kelmendi, ishte në prag të zhveshjes së rrobave ushtarake, që ishte një ditë e madhe e përfundimit të obligimit ushtarak, të cilën çdo ushtar e pret me gëzim për kthim në vendlindje – në gjirin familjar dhe atë duke shënuar me laps në mur vijat e mbetjes së ditëve të fundit javor. Të gjitha mjetet mashtruese me anën e sloganit “vëllazërim-bashkim” për shkrirjen e shqiptarëve në Jugosllavi ishin sosur, ndaj shovinistët serbë u morën me vrasjen e ushtarëve shqiptarë me plumb prapa shpine në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).
Për të thyer moralin e popullit shqiptar, APJ do të sakrifikonte jo vetëm katër ushtarët jugosllavë në kazermën e Paraçinit, por edhe me qindra ushtarë të tjerë jugosllavë, vetëm e vetëm që të arrinte deri te heqja e Kushtetutës së Kosovës (1974), që ishte njësi e federatës jugosllave dhe ishte një hap i madh drejt shkëputjes nga kolonizimi serb dhe bashkimin me shtetin amë – Shqiperinë. Këtë e kishte parasysh qeveria jugosllave, prandaj vepronte me të gjitha mjetet diplomatike, ushtarake e policore.