Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sonte në Hajvali të Prishtinës, ku një person ka humbur jetën pas një gjuajtjeje me armë zjarri.
Paparaci ka mësuar se viktima është identifikuar si Muhamet Matoshi, ndërsa i dyshuari për vrasjen është Xhemajl Nuhiu.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar rastin, duke thënë se vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK dhe se hetimet kanë nisur.
“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është indentifikuar”, ka thënë Ahmeti.
Forcat policore po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e motiveve po vazhdojnë.