Vrasja në Gjakovë, një muaj paraburgim për Nexhdet Zymberajn

Një muaj paraburgim i është caktuar Nexhdet Zymberajt, i dyshuar për vrasjen e Rasim Binakajt, të hënën në Gjakovë.

Vendimi u mor nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera thuhet se më datë 16.03.2026, rreth orës 05:20, në Gjakovë, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M. P.”, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R. B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E. M. dhe të personave të tjerë që kanë qenë prezentë në vendin e ngjarjes. Sipas përshkrimit, në ditën kritike, derisa i pandehuri ka qenë në lokal së bashku me të dëmtuarin E. M. dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes ka ardhur tani i ndjeri. Pas një mosmarrëveshjeje, i pandehuri ka shtënë disa herë me armën e tij – pistoletë e llojit TT – në drejtim të R. B. Si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat në pjesë të ndryshme të trupit, viktima ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Gjithashtu, si pasojë e të shtënave me armë, i pandehuri ka rrezikuar jetën e personave të tjerë. I dëmtuari E. M. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes. Gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, mbrëmë, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Me këtë vendim, i pandehuri N. Z. do të mbahet në paraburgim për një (1) muaj. Kjo periudhë do të llogaritet nga data e arrestimit, 16 mars 2026, deri më 16 prill 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.