Vra*sja e trefishtë, protestohet në Gjilan

Ngjarja e rëndë e kësaj jave në të cilën mbetën tre persona të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë, ka shkaktuar reagim në vendin tonë.

Më 10 gusht në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një vrasje e trefishtë. Tre persona të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra vazhdojnë të jenë në arrati.

Një protestë është mbajtur sonte para objektit të Gjykatës Themelore në Gjilan, e organizuar nga Qendra sociale “Përpjekja” me moton “Kundër sistemit të kalbur të drejtësisë”.

Protestuesit me këtë rast bënë thirrje që institucionet e drejtësisë që të jenë transparente dhe të ndalojnë dorëzaninë për personat e përfshirë në krim të organizuar.

Gjykata ta vendosë drejtësinë, Sistemi i drejtësisë në shërbim të fajdexhinjve, Drejtësi, jo dorëzani, Kriminelë me çekiç, Pa drejtësi nuk ka demokraci, Gjykata i ka duart me gjak, Ndalim me ligj të dorëzanisë për personat e përfshirë në krim të organizuar, ishin disa nga kërkesat e protestuesve.

Gjyqtarët e prokurorët të mbahen përgjegjës, drejtësia nuk shitet. Nuk pranojmë të shkelemi nga të fortët. I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë ose reformohu, ose të reformojmë ne, thanë aktivistë të Qendrës sociale “Përpjekja”.

Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërsa të pranishëm në mbarëvajtjen e saj ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës paralajmëruan se do të mbahet një tjetër protestë para gjykatës dhe prokurorisë në Prishtinë, dhe se për këtë publiku do të informohet me kohë.

Kujtojmë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës tha për KosovaPress se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e vrasjes së trefishtë në Gjilan, më 10 gusht.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se nga viti 2000 për Mefail Shkodrën janë pranuar 5 raste penale, kurse për 4 raste është ngritur aktakuzë. Sa i përket Edonis Shkodrës dhe Engjëll Shkodrës, Prokuroria Themelore ka njoftuar se nuk kanë pasur asnjë rast të proceduar në cilësinë e të dyshuarve.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet kompetente që sa më parë t’i kapin autorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës.

The post Vra*sja e trefishtë, protestohet në Gjilan appeared first on Kosovapost.net.