Vrasja e Liridona Ademajt-Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla dërgohen në sallën e gjyqit

Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten në masa të rrepta sigurie, raporton Ekonomia Online.

Kjo është seanca e para për këtë vit (2026), që i prin ciklit të seancave të mëparshme, e që në atë të fundit u paraqitën video-incizime që, sipas prokurorisë, tregojnë takimet dhe lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes.

Mes pamjeve të prezantuara ishin edhe momente nga darka e fundit e Liridonës me familjen, si dhe lëvizje që ndërlidhen me të akuzuarin Granit Plava.

Sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë qenë e planifikuar nga ish-bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Për krimin e kryer në sy të fëmijëve, në veturën me të cilën po lëviznin, Prokuroria pati thënë se ekzistonte marrëveshja që krimi të kryhej nga Granit Plava në këmbim të 30 mijë eurove, ndërsa arma dyshohet se ishte siguruar nga Naim Murseli përmes Kushtrim Kokallës.

Gjatë procesit gjyqësor, organi i akuzës ka paraqitur prova materiale dhe pamje filmike nga momentet para dhe gjatë ngjarjes, të cilat janë përfshirë në dosjen e rastit.