Vrasja e Liridona Ademajt, familja presin gjykim të drejtë e vendim meritor

Gjykim efikas e me vendim meritor është kërkesa e familjes së Liridona Ademajt, pak ditë para se të nisur shqyrtimi kryesor ndaj të akuzuarve për vrasjen e saj.

Fund nëntorin e 2023 opinioni në Kosovë u tronditë me një nga vrasjet më të rënda viteve të fundit.

E raportuar fillimisht si grabitje e armatosur, vrasja e Liridona Ademajt mori kthesë tjetër pak ditë më vonë.

Naim Murseli, bashkëshorti i saj u arrestua nën dyshimet se kishte organizuar e madje edhe paguar dorasin për vrasjen e saj.

Murseli së bashku me bashkëpunëtorët e tij, gjatë javës së ardhshme do nisin shqyrtimin kryesor në Gjykatën Themelore të Prishtinës, meqë aktakuza e ngritur ndaj tyre kaloj të gjitha filtrat e gjyqësorit.

Familja e Liridona Ademajt, presin që ky rast të trajtohet me prioritet dhe që në fund të ketë epilog meritor.

“Rastin e Liridonës, sikur e gjithë Kosova, edhe ne presim që Gjykata ta trajtojë me prioritet e me ndjeshmëri të lartë. Vendosja sa më e shpejtë gjyqësore dhe denimi i të akuzuarve është thirrja kumbuese në shpirtërat e të gjitha grave e vajzave të vendit tonë – viktima të krimeve – për të vetmin “faj” që janë femra dhe persona të cenueshëm-. Presim që ky proces gjyqesor të kulmojë me një dënim të tillë që t’i rikujtojë secilit që merr një “guxim” të tillë, të mendoj jo vetëm dy herë, por që dënueshmëria e të akuzuarve të luajë rolin preventiv maksimal në të ardhmen”, ka deklaruar për Tv Dukagjinin, Leutrim Syla – avokat i familjes së Liridona Ademajt.

Për akuzat që rëndojnë për të pandehurit, sipas avokatit Ardian Bajraktari dënimi mund të shkojë deri në burgim të perjtshëm.

“Edhe gjykata përvec se prokuroria po e trajtojn me seriozitetin e duhur këtë ngjarje të rëndë dhe tragjike, dhe krahas trajtimit me efikasitet të kemi edhe administrim të mirë të provave të drejtësisë dhe në fund verdikti të përfundojë me vendimin meritor për të pandehurit sic dihet akuzat që rëndojnë mbi ta vendimi parashihet jo më pak se 10 vjet por mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm”, ka thekuar Ardian Bajraktari – avokat.

Liridona Ademaj, u vra më 29 nëntor të 2023, derisa Prokuroria në Prishtinë, akuzon për këtë bashkëshortin e saj Naim Muselin, e Granit Plavën, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodajt. Ky i fundit e ka pranuar fajësinë për shitjen e armës dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Murseli, Plava e Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli.