“Ka qenë shtyllë për neve, një grua shembullore që ia dhuroi tre fëmijë bashkëshortit që e vrau”. “Na thojshin ngushellime s’dishim gjo”.
“Na e morri e hala se dimë pse”, – Deklarate e Shpat Ukelles.
Është një ditë e zakonshme në qytetin e Pejës. Por si sot një vit më parë, ky bllok i banesave do të shndërrohej në një skenë krimi që do të trondiste një popull të tërë.
Nuk u desh shumë që zyrtarë të Policisë së Kosovës t’u përgjigjeshin raportimeve për të shtëna armësh, jo shumë metra larg bazës së tyre.
Dhe me arritjen këtu, u vendosën shirita të verdhë për të kufizuar zonën që në vete, ishte hyrja drejt një skene krimi.
Mëngjesin e së martës së 16 prillit të vitit 2024, Gjyljeta Ukella e nisi si zakonisht, me kafen e mëngjesit. Por, bashkëshorti që e shoqëronte, atë ditë vendosi t’ia merrte jetën.
Nga banesa më nuk doli e gjallë pasi Edmond Lajçi e qëlloi në formë tinëzare me armë zjarri nga mbrapa kokës.
Taksi, dorasin po e priste poshtë për ta dërguar në Stacionin e Policisë, ndonëse atë nuk e kishte larg.
Çifti kishte tre fëmijë e të voglin, Lajçi e kishte kursyer nga pamjet makabre. Por jo edhe dy vajzat.
Familja Ukella jeton në anën tjetër të qytetit. Ditën zakonisht e nisin herët, por në ditën e krimit, thonë se diçka po i mbante larg zgjimit. E parandjenjës së Shpat Ukellës, iu dëgjua zëri.
“Atë ditë nuk e harroj kurrë datën 16 prill, ora 7:45. Më kanë thirrë prej Policisë dhe më kanë thënë “Shpat, qysh je? A je zgju? Ju thash: “Po urdhëroni?”. Më tha “Jemi nga Policia e Kosovës, duhesh me ardhë në banesën e Gjyljetës se është vra nga bashkëshorti dhe unë për një moment u ula dhe i thash, “Mos je gabim se nuk ka shanca me ndodhë. S’folëm asnjani 30 sekonda. Më tha “po më vjen keq por unë jam pranë trupit të saj, duhet me ardh”. Shkova edhe kur shkova, veç ish pas kry. Dolën prokurorët e policia, na ngushëlloj po na s’dishim as për çka po na ngushëllojnë. Kam me mbajt mend sa t’jam gjallë”, ka thënë Shpat Ukella, familjar i Gjyljeta Ukellës.
Me dorëzimin në organet e sigurisë, Lajçi fajësinë e pranoi haptazi kur zuri karrigen e të dyshuarit kryesor në Gjykatën Themelore të Pejës, në dhjetor të atij viti.
Por epilogun kjo çështje e mori tri ditë më vonë, e Lajçi nuk ishte prezent për ta dëgjuar dënimin me burgim të përjetshëm.(27 dhjetor)
Por seancën nuk e humbën familja Ukella.
Mbaj mend një deklaratë tuajën të thënë para objektit të Gjykatës së Pejës, ku shprehnit besim të plotë në sistemin e drejtësisë. Sot ju pyes, a besuat në këtë vendim, ishte një ngushëllim në vete sadopak?
“Neve si familje na ka lehtësuar sadopak dhimbjen që e kemi pas për motrën tonë. Kam shumë besim dhe ashtu e kam shprehur në Gjykatat e Kosovës sidomos në sistemin e Drejtësisë. Besoj shumë që edhe Apeli, do ta ketë të njëjtin vendim që mos t’i ulet dënimi. Jo vetëm në rastin e motrës time, por asnjërit”, ka thënë Shpat Ukella, familjar i Gjyljeta Ukellës.
Megjithatë, Lajçi veçse ishte i familjarizuar me Gjykatoren e Pejës.
Në vitin 2021 ai kishte aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprën penale “Dhunë në familje”.
Aktakuza e ngritur ndaj tij atë vit kishte përfunduar me dënim nga Gjykata Themelore në Pejë, por me gjobë prej 100 eurosh dhe me burgim prej 3 muajsh.
Pas ankesës të tij, dënimi u zëvendësua me një gjobë prej 300 eurosh, që në total ai kishte paguar 400 euro.
“E ceka më herët se Gjyljeten u kanë zor me vërejt edhe kur ka problem se çdo problem që e ka pas, një fjalë e ka thanë. “Jam e zoja, e kryj vet”. E ngucsha që të na tregon po qeshke e thojke “Çka s’muj të tregoj”. E pati para do viteve një problem me bashkëshortin që e paraqiti edhe në Polici ku Gjyljeta u dënua me kusht e ai me të holla. Edhe dënimin e tij e ka pagu Gjyljeta. Ne njëherë se kemi ditë as çka ka ndodhë. Tash fjalët po na i tregon edhe vajza e Gjyljetës, Paulina, e po na tregon shumë herë që presion psiqik e fjalë nga më të ndryshmet ka pas po Gjyljetën se ke vrejt asnjëherë, nëse ka pas problemin më të vogël. Si vëllezër, krejt i kishim bo po te ajo ka qenë një problem, e ka desht burrin shumë. U martu me dashuri të madhe, se çka ndryshoi aty e di veç zoti”, ka thënë Shpat Ukella, familjar i Gjyljeta Ukellës.
Burrin e vet ka desht me ndihmu se ai nuk e ka pas asnjë burim të hollash. U mundu me fut në punë, ai s’dojke me punu. U mundojke gjithqysh me bo po përgjigja e tij ishte “Unë nuk punoj për kërkon”. Masanej, Gjyljeta vendosi të kthehej prapë te ai, donte ta ndihmonte e iu bë krahë, edhe për fëmijë. S’është kollaj me i lënë tre fëmijë e me vazhdu jetën vet. Ajo s’rrjedhë nga një familje që e bënë një gjë të tillë. Veten e sakrifikoi për fëmijë.
E kam të rëndësishme të pyes. Si i shihni përpjekjet institucionale për të parandaluar raste të tilla?
“Nëse dënimet vazhdojnë të jenë të tilla, të jenë të njëzëri. Nëse dënohet si në Gjykatë Themelore, mos t’i ulet dënimi në Apel ose në Suprem. Ose mos të kthehen në rigjykime por le të përfundojnë me dënimin e duhur. Do të ketë shumë më pak raste se e dinë që më nuk do të ketë shpëtim të lehtë”, ka thënë Shpat Ukella, familjar i Gjyljeta Ukellës.
Pjesë e aktakuzës së ngritur për Lajçin, të cilën e ka siguruar televizioni, është edhe raporti i ekzaminimit psikologjik. Ai tregon se Lajçi ishte diagnostifikuar me çrregullim personaliteti.
Krahas kësaj, i njëjti kishte qenë edhe përdorues i substancave narkotike, dhe histori disa-vjeçare në lojërat e fatit.
Prezent ndër të parët në vendin e ngjarjes, aso kohe kishin qenë edhe zyrtarë të Prokurorisë Themelore të Pejës e që rastin, e cilësojnë ndër më të rëndit që kjo Prokurori ka trajtuar ndër vite.
“Po e mbanin mbledhjen e mëngjesit kur Ish-prokurori, aso kohe prokurori kujdestar dhe unë, pranuam informatën që jo larg Prokurorisë e Policisë ka ndodhur një vrasje. Mënyra se si ishte kryer ishte shumë e rëndë për rrethana që duhet t’i kursejmë familjarët, është cilësuar vrasje makabre. Viktima ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit dhe është privuar me një plumb në kokë nga bashkëshorti i saj. Skena që ka qenë brenda vendit ku është kryer vrasja ka qenë e tmerrshme”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
E thirrja e Prokurorisë vazhdon sot e kësaj dite.
“Brenda sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës është një prokurore e cila udhëheq PTH-Pejë. Zëvëndëskryeprokurorja dhe ajo e sinë rëndësinë se si duhet trajtuar një rast dhune. Dera e Prokurorisë është e hapur 24 orë për secilën viktimë që mund të jetë cak dhune, rastin le ta raportojnë menjëherë. Prokuroria është e hapur për to 24-orë”, ka thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Edhe pse dënimi i përjetshëm ndaj Edmond Lajçit u pa si një akt drejtësie nga familja e viktimës, vendimi përfundimtar ende mbetet në dorën e Gjykatës së Apelit.
Në duart e Apelit është jo vetëm fati i një vendimi gjyqësor, por edhe besimi i një familjeje që ka vetëm një kërkesë: që jeta e një gruaje të mos peshojë më pak se kaq.