Vrasja e dy vëllezërve në Malishevë, dhëndri i dyshuar kishte aktakuzë për dhunë në familje

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës. I dyshuari për këtë ngjarje është dhëndri i viktimave.

Sipas informacioneve të para, pas kryerjes së krimit, ai është larguar nga vendi i ngjarjes.

Personi i dyshuar, me inicialet A.I, aktualisht është në kërkim nga Policia.

Mësohet se ai ka pasur edhe më parë probleme me ligjin, ndaj të cilit Prokuroria në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprat penale “Dhunë në familje”, dhe “Kanosje”.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit te dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore ne Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë ne familje” sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, ka konfirmuar Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, policia më herët ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:00, ku i dyshuari pas krimit ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Policia ka aktivizuar Njësinë K9 për të arrestuar të dyshuarin, mirëpo deri tani nuk ka njoftim nëse është kapur ai.

Raportohet se viktimat janë Driton Morina dhe Naim Morina rreth 32 dhe 45 vjeç.

I dyshuari, sipas hetimeve paraprake, sot ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi është larguar disa metra, ai është kthyer përsëri dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë.