Një 42-vjeçar ka mbetur i vrarë në një lokal në Skënderaj.
Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë thënë se dy persona të dyshuar për rastin janë identifikuar dhe të njëjtit ndodhen në arrati.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie bëri të ditur se rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe po punohet intensivisht për arrestimin e të dyshuarve.
“Prokurori i rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë menjëherë në vend ngjarje ku është konstatuar se një person ka mbetur i vrarë. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe dy persona të dyshuar janë identifikuar dhe të njëjtit ndodhen në arrati. Jemi duke punuar që të dyshuarit të arrestohen dhe të vihen para drejtësisë, si dhe rasti të zbulohet në tërësi”, tha Preteni për Reporteri.net.
Gjatë ditës u raportua se viktima dhe një nga të dyshuarit janë nga i njëjti fshat dhe e njëjta lagje.
Njëri nga të dyshuarit i cili ndodhet në arrati, është një 63-vjeçar me inicialet H.I.
Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:50 në një lokal në Skenderaj. Vdekja e viktimës u konfirmuar në vendin e ngjarjes nga mjekët
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë Gazetës Online Reporteri.net se vrasja ka ndodhur brenda një lokali në rurgën “Sala e Hamit Jashari”.
“Sot më, 12 shkurt 2025, rreth orës 13:50 policia në Skenderaj ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj. Sipas informatave fillestare të shtënat kanë ndodhur brena një lokal ku si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit dhe plagëve të pësuara ka humbur jetën viktima mashkull i moshës rreth 42 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës”, ka thënë Zahiti.