Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një njoftim rreth votimit që zhvillohet nesër nëpër përfaqësitë diplomatike.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, KQZ ka bërë me dije se mërgimtarëve u lejohet votimi edhe me dokumente me afat të skaduar, qoftë letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje, shkruan Reporteri.net.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike mund të votojnë: Me letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje të Republikës së Kosovës – lejohen edhe dokumentet me afat të skaduar, sipas vendimit të KQZ-së. Zëri juaj ka rëndësi. Merrni pjesë në votim!”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Reporteri.net se materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe se janë gati për votuesit.
“Më 27 dhjetor, procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga 77,086 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në këto 29 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur se në të njëjtën kohë kur përfundon votimi në përfaqësi diplomatike, do të përmbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur rreth dy javë më parë.
Të gjitha votat e grumbulluara do të dërgohen në Kosovë për t’u numëruar.
“Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 57 mijw e 899 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 16 dhjetor. Të gjithë këta votues, kanë pasur kohë 12 ditë që pakon me fletëvotim, të cilën e kanë pranuar nga KQZ, ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të hapura në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën. Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë”, ka shtuar Elezi.
Votimi në Kosovë do të zhvillohet më 28 dhjetor.













