Votat e LDK-së, Murati i reagon Abdixhikut e Bajrami-Muratit

Pas deklarimeve nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nëse Gjykata Kushtetuese do të marr vendim për lejimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, ata do të tregojnë fletën e votimit të tyre para kamerave për t’i dëshmuar 20 votat e tyre kundër, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes që është ministër në detyrë, Hekuran Murati.

 

“Çfarë katandisje e partisë që dikur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova! Nga parti shtet-formuese në parti votë-fotografuese”, ka shkruar Murati.

I menjëhershëm ka qenë reagimi nga LDK-ja. Nënkryetarja Hykmete Bajrami tha se deputeti Murati është në shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës.

“Ti deputet që je në shkelje të vazhdueshme të Nenit 72 të Kushtetutës mos u merr me shtet-formuesit, se s’është kjo punë për ty. Tregona më mirë për lulëzimin e mafisë energjetike gjatë qeverisjes suaj. Tregona se si një kompani (NOA) që tregton energji në Kosovë për tri vjet u bë kompania e tretë për nga qarkullimi në vitin 2024 -160 milionë euro qarkullim (2024). Tregona pse jemi bërë kaq të varur nga importi i shtrenjtë i energjisë. Tregona pse KEK-u vonohet me vite për të riparuar blloqet dhe s’ mban përgjegjësi askush? Tregona qysh KEK-u ka shpallë tender me negociata 137 milionësh për remontin e A3 pa asnjë studim të fizibilitetit. Tregona qysh kompanitë si NOA dhe EFT e Vuk Hamoviqit kontrollojnë tregun e energjisë dhe fitojnë miliona euro, ndërsa qytetarëve u rritet çmimi i energjisë çdo vit e 1300 biznese vendore përjashtohen nga shërbimi i furnizimit universal. Tregona për performancën e njerëzve tuaj në ZRRE dhe në KOSTT? Tregona qysh ka mundësi që sot, në këtë ditë gjysmën e energjisë që shpenzojmë jemi duke e importuar? Tregona kush po fiton se qytetarët dhe bizneset po paguajnë për këto fitime. Kur të përgjigjesh për këto, atëherë ndoshta mund të flasësh edhe për të tjerët”, ka shkruar në reagimin e saj Bajrami.

The post Votat e LDK-së, Murati i reagon Abdixhikut e Bajrami-Muratit appeared first on Kosovapost.net.