Vota për të cilën u përplasën komisionerët e VV-së e LDK-së tek “1 Tetori”, dalin pamje të reja

Në sallën “1 Teori”, në Qendrën Komunale të Numërimit, në Prishtinë, është ndërprerë për disa orë numërimi i votave për deputetë në Kuvendin e Kosovës, si pasojë e problemeve me sistemin e procedimit.

 

Komisionerët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përplasur mes vete në Sallën “1 Tetori”, ku po numërohen votat e kandidatëve për deputetë e po bëhet verifikimi i rezultateve të partive.

Përplasja mes tyre ka nisur për një votë, ku sipas fletëvotimit të publikuar, ishte votuar LDK. Nga Vetëvendosje kanë kërkuar që kjo votë të shpallet e pavlefshme meqë shenja “tick” kishte dalë pak përtej katrorit. Kundër ka dalë komisioneri i LDK’së, që ka kërkuar që kjo votë të numërohet, duke thënë se “epiqendra është në mes”.

Pamje nga kjo përplasje ka ndarë kandidati për deputet i LDK’së, Paris Guri.

Ndryshe, në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, numërimi i votave për kandidatë për deputetë ka nisur me rreth tre orë e gjysmë vonesë për shkak të problemeve teknike.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencë për medie, tha se në qendrat komunale të numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve, do të bëhet edhe verifikimi i votave të subjekteve politike.

Lëvizja Vetëvendosje prin me 40.86 për qind të votave pas numërimit të 97.57 për qind të votave, sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përditësuara në ora 18:32.

Deri tani, PDK renditet e dyta me 22.04%, LDK e treta me 17.62%, kurse AAK 7.45%.

Ndërsa Koalicioni Lista për Familje ka marrë 2.29%.

Ndërpritet numërimi i votave për kandidatët për deputetë në ‘1 Tetori’, përplasen vëzhguesit