Me gjithë paralajmërimin se mjetet financiare nga Plani i Rritjes do të ndaheshin deri në fund të vitit të shkuar, Kosova e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë përfituar asgjë. Në Komisionin Evropian thonë se janë duke punuar në finalizimin e disa hapave proceduralë, derisa Kosova duhet të presë konstituimin e Kuvendit dhe të ratifikojë dy marrëveshje
Premtimi i Komisionit Evropian që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’ua ndajë mjetet nga Plani i Rritjes para përfundimit të vitit të shkuar, nuk është realizuar.
Ndarja e tyre nuk pritet të ndodhë së paku deri në fund të pjesës së parë të këtij viti.
Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, aktualisht është duke u punuar në përmbylljen e disa hapave proceduralë.
“Për sa i përket procesit – deri më sot, ne kemi pesë agjenda ambicioze reformash në fuqi – duke përfshirë Kosovën, dhe në këmbim, këto reforma mbështeten me investime. Për të nisur reformat, vendet mund të kërkojnë deri në 7% në parafinancim të shumës totale të parashikuar në këtë mekanizëm [nga shuma fillestare treguese e financimit të disponueshme për secilin përfitues]. Të gjithë pesë përfituesit me agjendat e miratuara e kërkuan atë. Këtu përfshihet edhe Kosova. Komisioni tani është duke finalizuar hapat proceduralë, të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta priten ndërmjet tremujorit të dytë dhe tremujorit të tretë 2025 me plotësimin e kushteve përkatëse”, ka thënë ky zëdhënës, shkrun Koha.
Nga Plani i Rritjes, Kosova pritet të përfitojë mbi 882 milionë euro. Por, për këtë duhet pritur konstituimin e Kuvendit me legjislaturën e re.
Sipas Klisman Kadiut, këshilltar i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, mosprocesimi i fondeve nuk do të ketë ndonjë efekt negativ në realizimin e reformave të parapara.
“Kosova ka miratuar në Qeveri vitin e kaluar Agjendën e Reformave gjersa përmes këtij instrumenti vendi ynë do të mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, në formën e huave dhe granteve, për periudhën 2024-2027. Si hap vijues është ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Instrumentin e Planit të Rritjes dhe Marrëveshja për Hua. Me konstituimin e legjislaturës së re, hapet rruga për votimin e miratimin e të njëjtave. Pas këtij miratimi, hapet rruga për lëshimin e fondeve nga Bashkimi Evropian. Nuk bëhet fjalë për pasoja apo efekte negative. Vlen të theksohet se fondet ende nuk janë lëshuar nga BE-ja për asnjë shtet në rajon”, ka thënë Kadiu.
Përveç Kosovës, nga Plani i Rritjes, i miratuar nga BE-ja në maj të vitit të shkuar, do të përfitojnë edhe vendet e rajonit si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.
Totali i mjeteve për Ballkanin Perëndimor kap shifrën prej 6 miliardë eurosh.
Nga kjo shumë, 2 miliardë do të jenë në formën e granteve pa kthim, ndërsa 4 miliardë kredi me kushte të favorshme.