Institucionet humbën pesë ditë punë me procedurat e tenderimit, duke u përballur me vonesa në aksesimin e sistemit të prokurimit elektronik për një javë. Problemi teknik që ishte raportuar më datë 4 mars 2025 tani është rregulluar, raporton Demokracia.com.
Në javën e kaluar, sistemi i e-prokurimit nuk ishte i qasshëm, duke shkaktuar vonesa në procedurat e tenderimit për institucionet publike për vitin 2025.
Sidoqoftë, edhe pse problemi është adresuar, vazhdojnë vështirësitë në hyrjen në faqen e prokurimit, me faqen që vazhdon të punojë ngadalë. Kalimi nga një nivel aksesimi tek një tjetër kërkon kohë të konsiderueshme.
“Nga data 9 mars 2025, ora 22:30, sistemi i prokurimit elektronik do të jetë i qasshëm për të gjithë përdoruesit përmes linkut https://e-prokurimi.rks-gov.net dhe tërë shërbimet do të jenë në dispozicion.
Ashtu siç është raportuar në njoftimet paraprake, KRPP në pajtim me nenin 32.14 të Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik e plotësuar dhe ndryshuar me Rregulloren Nr.002/2024 ka ndërmarrë veprimet teknike në sistemin e prokurimit elektronik – duke bërë ndalimin e hapjeve të ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit me datë të hapjes 04 – 10 mars 2025, duke mundësuar që për të gjitha këto aktivitete të prokurimit të zgjatet afati për dorëzim të ofertave nga Operatorët Ekonomik të interesuar.
Zgjatja e afatit për dorëzimin e ofertave/aplikacioneve për të gjitha aktivitetet e prokurimit me datë të hapjes 04 – 10 mars 2025 do të bëhet nga Autoritetet Kontraktuese të cilat janë të obliguara të veprojnë në pajtim me nenin 32.14 të Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik e plotësuar dhe ndryshuar me Rregulloren Nr.002/2024.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), në përputhje me rregulloren nr. 001/2022 të Prokurimit Publik, të plotësuar dhe ndryshuar me rregulloren nr. 002/2024, ka ndërmarrë veprimet teknike për rregullimin e sistemit të prokurimit elektronik. Hapja e ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit me datën e hapjes 04 – 10 mars 2025 është ndalur dhe afati për dorëzim të ofertave është zgjatur për të gjitha këto aktivitete”, ka njoftuar mbrëmë KRPP në një komunikatë për media.
Gjithashtu, KRPP njofton se të gjitha afatet kohore për shërbimet dhe veprimet në sistemin e prokurimit elektronik do të zgjaten në përputhje me kohëzgjatjen e problematikës teknike. /Demokracia.com/