As në 17 tentime deputetët nuk arritën ta konstituojnë institucionin legjislativ. Prandaj, monitoruesit e punimeve të Kuvendit të Kosovës dhe analistët politikë, vlerësojnë se viti 2025, mund të quhet vit i humbur në aspektin legjislativ. Shqetësuese po shihet edhe mungesa e mbikëqyrjes së punës së qeverisë në detyrë.
Për të 17-ën herë u mblodhën të shtunën.
E në po kaq herë, deputetët dështuan ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.
Në këtë formë, institucioni legjislativ, po vazhdon të jetë pa kryetar e nënkryetarë.Shqetësuese këtë situatë, po e vlerësojnë monitoruesit e punimeve në Kuvend.
Kjo meqë edhe në muajin e pestë të vitit, kuvendi i Kosovës nuk është funksional.
“Meqenëse jemi me tre muaj vonesë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, dhe rezultati është i atillë që nuk po duket që ka me pasur zgjidhje dhe zhbllokim të situatës së kryetarit dhe lirisht mund ta cilësojmë që kjo periudhe e vonesave dhe ngërçit politik, mund të na qoj deri në përfundim të vitit mbase dhe të mos kemi aktivitet legjislativ e mbikëqyrës dhe funksionalitet normal të jetës parlamentare në Kosovë”, thotë Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.
Ai thotë se pa konstituim të Kuvendit, pasojat po i vuajnë qytetarët.
“Ka një mori të Marrëveshjeve Ndërkombëtare që presin mu ratifikua në Kuvendin e Kosovës, ku bëjnë pjesë miliona euro që i fiton buxheti i shtetit dhe qytetarët e Kosovës. Ka një kategori e ndryshme e ligjeve, e reformës në drejtësi, vettingut, ligji i byrosë dhe plot ligje vitale që presin që të konstituohet një kuvend i ri. Pasojat i vuan qytetari në Kosovë, krijon inflacion të madh ekonomik nuk ka mbikëqyrje parlamentare dhe nuk ka llogaridhënie nga qeveria në detyrë”, thotë Bugaqku.
E përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës, është edhe mbikëqyrja e punës së qeverisë.
Prandaj mungesën e saj, po e shohin shqetësuese analistët politik.
“Kompetenca thelbësore e kryeministrit në detyrë, janë vetëm të ruaj mirëmbajtjen e angazhimeve të qeverisë në çështjet që kanë ngelur pa u përfunduar dhe nuk ka asnjë kompetencë që të bëj veprime të reja. Për rrjedhojë tani (Kurti) po ushtron detyrën e njeriu që bën vetëm përkujtime, me gjithë respektin sepse duhet të bëhen ato, sikur Kosova nuk ka asnjë problematikë tjetër, madje po merret edhe me Eurovisionin”, shprehet politologu, Albinot Maloku.
Deputetët do të mblidhen sërish të hënën, në tentimin e 18-të për konstituimin e Kuvendit./teve1.info