Von der Leyen: Perëndimi siç e dinim më nuk ekziston

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se politikat e presidentit amerikan, Donald Trump po sjellin “ndryshime historike”, të cilat po e detyrojnë Bashkimin Evropian të “luajë një rol shumë aktiv” në formësimin e një rendi të ri botëror.

“Perëndimi, ashtu siç e kemi njohur deri tani, nuk ekziston më”, tha ajo në një intervistë për gazetën gjermane Die Zeit.

Edhe pse, siç thekson ajo, ka qenë gjithmonë “atlantiste e bindur” dhe “mike e madhe e SHBA-së”, kriza aktuale mes administratës amerikane dhe Evropës, e kombinuar me sfidat më të gjera gjeopolitike, kërkon hapa vendimtarë nga Bashkimi Evropian.

“Ajo që më parë e konsideronim rend botëror, tani po shndërrohet në një kaos global, i nxitur, ndër të tjera, nga lufta për dominim mes Kinës dhe SHBA-së, por sigurisht edhe nga ambiciet imperialiste të Vladimir Putinit”, tha ajo.

“Për këtë arsye kemi nevojë për një Bashkim Evropian të ri, ndryshe, të gatshëm të dalë në skenën globale dhe të marrë pjesë aktive në formësimin e rendit të ri botëror që po vjen”, theksoi Von der Leyen.

Ajo pretendon se Bashkimi Evropian, pavarësisht politikave agresive tregtare të presidentit amerikan Trump, ka ruajtur forcën e vet dhe është bërë më tërheqës për shtetet e tjera për shkak të parashikueshmërisë dhe besueshmërisë që ofron.

BE-ja aktualisht është duke zhvilluar biseda të panumërta me krerë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota, të cilët duan të bashkëpunojnë në krijimin e një rendi të ri

Ndonëse tregtia me SHBA-në përbën 13 për qind të tregtisë botërore – që është një përqindje e konsiderueshme – 87 për qind e mbetur zhvillohet me vende të tjera.