“Është një marrëdhënie krejtësisht e ndryshme me Shtetet e Bashkuara se sa me Kinën”, tha ajo në një konferencë shtypi në Bruksel të dielën.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se edhe pse “siguritë prej disa dekadash po shkatërrohen” në marrëdhëniet e Evropës me vendet e tjera, nuk ka asnjë arsye për të rrezikuar marrëdhëniet e bllokut me SHBA-të.
Von der Leyen ka udhëhequr një ndryshim në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Kinën, të cilin ajo e ka përshkruar si mos-rrezikuese, por jo shkëputëse nga Pekin-i.
Edhe me ndryshimet e papritura dhe shqetësuese të politikës së jashtme dhe të mbrojtjes nën Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, ajo tha se përgjigja është një “jo e prerë” nëse një strategji e ngjashme nevojitet aktualisht ndaj Washington-it.
“Është një marrëdhënie krejtësisht e ndryshme me Shtetet e Bashkuara se sa me Kinën”, tha ajo në një konferencë shtypi në Bruksel të dielën.
Ajo shtoi më vonë se vendimi i SHBA-ve për të pezulluar ndihmën për Ukrainën, si dhe shkëmbimi i inteligjencës, ishte “një këmbanë shumë e fortë zgjimi” për Evropën për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse.
Von der Leyen tha se komisioni i saj do të fillojë të mbajë takime të rregullta sigurie për të shqyrtuar kërcënimet e ndryshme të mundshme me të cilat përballet blloku në fusha si mbrojtja dhe energjia.
Udhëheqësit e BE-së po ecin përpara me një propozim sigurie nga Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, që mund të mobilizojë deri në 800 miliardë euro në shpenzime kombëtare shtesë, duke përfshirë 150 miliardë euro kredi të BE-së për shtetet anëtare për investime në mbrojtje.
Por blloku tani duhet të gjejë mënyra të reja për të rritur mbështetjen për Ukrainën, me kryeministrin hungarez Viktor Orban, udhëheqësi më miqësor ndaj Rusisë i BE-së, i cili refuzon të mbështesë planet për të rritur aftësitë ushtarake të Kyiv-it.
Urgjenca e re nxitet kryesisht nga vendimi i Trump për të tërhequr mbështetjen nga Ukraina, së bashku me pyetjet rreth angazhimit afatgjatë të SHBA-ve ndaj aleancës ushtarake të NATO-s.
Von der Leyen tha se realitetet e reja gjeopolitike do të detyrojnë gjithashtu bllokun të rimendojë propozimin e ardhshëm të buxhetit afatgjatë, i cili sipas saj do të bëhet në mes të verës.
Udhëheqësit e BE-së kanë luftuar për të hapur linja të qarta komunikimi me administratën Trump, por Von der Leyen tha se ajo ka qenë në gjendje të punojë me Trump në të kaluarën.
Ajo tha se do të takohej me Trump “kur të jetë koha e duhur”.
Marrë dhe përshtatur nga Bloomberg për Albanian Post