Donela Kastrati, një vajzë dyvjeçare, ishte lënduar rëndë nga një televizor, model i vjetër, i cili i kishte rënë në pjesën e barkut. Nga lëndimet e marra, mjekët kanë vërejtur një formacion cistik në pankreas. Ajo gjashtë javë kishte qëndruar pa ushqim e ujë, për t’iu nënshtruar më pas një operacioni të rrallë, i dyti brenda 20 vjetëve, raporton T7
Me ndihmën e babait të saj, po ecën përsëri. Madje, edhe po luan me top.
Donela Kastrati, nga fshati Malësi e Vogël e Rahovecit, para disa muajve kishte pësuar lëndime të rënda nga një televizor, model i vjetër, i cili i kishte rënë në pjesën e barkut.
Babai i saj, Durim Kastrati, tregon për “HUMAN”, se vajza pas lëndimit, për disa orë kishte qenë pa vetëdije.
Familja Kastrati vajzën menjëherë e kishte dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës. Aty, dyvjeçarja do të qëndronte e shtrirë dy javë.
Kastrati thotë se Donela nuk kishte mundur as të hante e as të pinte.
Sipas Kastratit, mjekët në Gjakovë ndonëse e kishin trajtuar vajzën për dy javë rresht, nuk kishin mundur ta diagnostikonin se çfarë problemi i ishte shkaktuar si pasojë e lëndimit nga televizori.
Ata kishin referuar që vajzën ta dërgojnë për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në QKUK, pas ekzaminimeve të nevojshme, mjekët kanë vërejtur një formacion cistik në pankreas.
Ali Aliu, kirurg i fëmijëve, tregon më shumë për gjendjen e pacientes. Ai thotë se vajza kur ishte pranuar në klinikë ka qenë e lodhur dhe pa oreks.
Pas ekzaminimeve të nevojshme, mjekët e QKUK-së vendosin ta operojnë, kështu duke realizuar të dytin operacion të rrallë brenda 20 vjetëve.
Për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, mjekët ia kishin ndërprerë mënyrën e rregullt të të ushqyerit dhe pacientja ishte mbajtur vetëm me terapi parenterale (infuzion). Kirurgu thotë se e rëndësishme ishte që vajza nuk kishte humbur peshë.
Ai thekson se operacioni ka zgjatur disa ora, por që nuk ka pasur komplikime.
Sipas Aliut, madhësia e cistës ka qenë 10 cm, dhe se po të ishte sjellë menjëherë nuk do të rritej kaq shumë.
Aliu thotë se vajza nuk do të ketë probleme shëndetësore në të ardhmen.
Edhe babai i Donelës thotë se gjendja e vajzës është përmirësuar dhe se tani është shumë mirë. Ai është mirënjohës ndaj stafit mjekësor, i cili ia shpëtoi vajzën.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Murat Berisha, thotë se ky është një rast shumë i rrallë dhe që raste të ngjashme nuk janë aspak të lehta.
Dëfrim Koçinaj është kirurgu i cili kishte operuar rastin e parë të rrallë sikurse ai i Donelës.
Koçinaj tregon se pacienti kishte marrë lëndime pasi ishte rrëzuar nga një biçikletë.
Sipas tij, në këto raste të paktën gjashtë javë duhet të kalojnë, në mënyrë që pacienti t’i nënshtrohet operacionit.
Ai shton se me këto metoda të cilat i kanë kryer këto dy operacione, mundësitë për komplikime më vonë te pacientët, janë zero.