Vlerat e manganit ende jashtë normales, IKSHP apelon te qytetarët që të mos e përdorin për pije ujin nga Badoci

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se vlera e manganit në liqenin e Badocit vazhdon të mbetet mbi kufirin e lejuar dhe ka apeluar që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije.

IKSHP ka bërë thirrje që për zonat me emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet, ju lutem përcjellni komunikatat nga KRU ‘Prishtina’.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është duke vazhduar monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për pije. Analizat laboratorike të realizuara në ditët e fundit rezultojnë me vlera të manganit të cilat tejkalojnë kufirin e lejuar të përqendrimit të manganit prej 0.05 mg/l sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për” Cilësinë e Ujit për Konsum nga Njeriu”, dhe gjithashtu tejkalojnë standardin shëndetësor prej 0.3-0.4 mg/l mbi të cilin konsiderohet se mund të ketë ndikim në shëndet. Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK apelon tek qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës. Për zonat me emrat e rrugëve dhe oraret e furnizimit me ujë të pijshëm nga autobotet, ju lutem përcjellni komunikatat nga KRU ‘Prishtina’”, thuhet në njoftim.