Vlahovic nuk e prish terezinë, i vendosur t’i shijojë milionat e Juventusit deri në fund

Rikthimi i Kolo Muani te Juventusi dhe “skarcimi” i Hojlund nga Manchester United nuk e shqetësojnë Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb, me kontratë deri më 2026, nuk do të rinovojë me klubin bardhezi, i cili natyrisht do të preferonte ta shiste sa më shpejt, për të mos e humbur falas vitin tjetër. Megjithatë, rreth tij mbretëron qetësia, ndoshta më tepër sa mendohet.

Sipas “Tuttosport”, kjo është pjesë e strategjisë së sulmuesit numër 9; të qëndrojë në Torino të paktën deri në janar për arsye financiare dhe mundësish. Paga e tij këtë sezon është rritur në 12 milionë euro, kështu që Vlahovic ka interes maksimal të qëndrojë te Juve për t’i maksimizuar të ardhurat.

Ai nuk është lojtar i demotivuar, që pret fundin e muajit për të parë llogarinë e tij. Përkundrazi, nuk do të refuzonte të luftonte për vendin në sulm me David dhe Kolo Muani, siç bëri në përgatitjet parasezonale. Në janar do të shqyrtojë mundësi të tjera, pa përjashtuar qëndrimin deri në qershor dhe largimin falas nga Juventusi, pas Botërorit 2026.

Po Juventusi? Klubit do t’i pëlqente ta shiste tani për rreth 20 milionë euro, por nëse kjo nuk ndodh, Tudor do të mbështetet te Vlahovic për tri garat e sezonit, duke lënë çdo vendim për janarin, ose madje për qershorin 2026.

The post Vlahovic nuk e prish terezinë, i vendosur t’i shijojë milionat e Juventusit deri në fund appeared first on Telesport.