Vjosa Osmani paralajmëron padi ndaj Mefail Bajqinovci për shpifje

 

Këshilltarja e ish-Presidentes  Vjosa Osmani, Egnesa Vitia, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deputetit të Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.

Ky paralajmërim vjen pas deklaratave të tij lidhur me rolin e presidentes në heqjen e masave të Bashkimi Evropian.

“Për shpifjen e publikuar sonte, deputeti Mefail Bajqinovci do të paditet për shpifje nga Presidentja Osmani. Natyrisht, për dallim nga pretendimet e tij të pavërteta, Presidentja Osmani posedon dëshmi të qarta dhe konkrete që dëshmojnë se ai dhe urdhërdhënësit e kësaj shpifjeje po gënjejnë. Shihemi në gjykatë”, ka deklaruar Vitia.

Më herët, në një intervistë në T7,  Vjosa Osmani i cilësoi të padrejta masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se ato erdhën pavarësisht se vendi ishte përballur me sulme nga grupe kriminale.

“Sanksionet kanë qenë tërësisht të padrejta që i janë vendosur Kosovës përkundër faktit se sulmi atë ditë më 2023 kanë ardhur nga bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se më pas kanë ekzistuar keqkuptime mes Qeveria e Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, të cilat sipas saj janë tejkaluar.

“Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe në dhjetor janë hequr ato masa”, është shprehur ajo.

Pas kësaj interviste, deputeti Mefail Bajqinovci reagoi publikisht, duke vlerësuar se presidentja nuk ka pasur rol në heqjen e masave.

“Presidentja jo vetëm që nuk ka kontribuar në heqjen e masave, por ka qenë në të njëjtën linjë me Lajçakun, pra për tërheqje nga veriu. Nëse nuk ka harruar, Presidentja pastrimin e strukturave kriminale e quante ‘bixhoz’. Ky është kontributi i saj në lidhje me masat”, ka shkruar ai.