Vjosa Osmani jep sinjale për rikthim në LDK?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duket se po jep sinjale të një rikthimi të mundshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Gjatë një tubimi me qytetarë në Podujevë, Osmani tha se nuk mund të flasë deri më 4 prill, por theksoi se kjo nuk e ndalon publikun të diskutojë çfarë të dojë.

4 prilli është dita kur Osmanit i mbaron mandati si presidente, raporton Paparaci.

“Unë iu thash edhe pak mëherët, unë deri më 4 prill smuj me fol por kjo nuk domethënë se ju sbon me fol. Ju kallzoni cka po doni ju”, tha shkurt Osmani para qytetarëve që ishin të pranishëm.

@dardaniapress1♬ tingulli origjinal – DardaniaPress

Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, javë më parë ka folur për mundësinë e një bashkimi të madh të së djathtës në Kosovë, ku presidentja Osmani do të luante një rol kyç.

Ai ka theksuar se, edhe pse Osmani aktualisht mban postin e presidentes dhe nuk mund të angazhohet politikisht në mënyrë të hapur, një projekt i madh politik mund ta rikthejë atë në skenë.

“Është koha për bashkim të madh dhe jo për interesa individuale. Nuk kemi njerëz për të humbur dhe të gjitha potencialet duhet të bashkohen”, tha ai në Klan Kosova.

Ai shtoi se është i përkushtuar për ta rikthyer dhe forcuar të djathtën në Kosovë përmes një bashkimi sa më të gjerë politik, ku të gjithë ata që besojnë në vlerat e së djathtës dhe në orientimin properëndimor të vendit mund të gjejnë vendin e tyre.

Ditë më vonë, në një postim në Facebook, kryetari i LDK-së ka theksuar nevojën për një “bashkim të madh politik e qytetar” rreth një projekti që tejkalon dallimet e vogla dhe hidhërimet e së kaluarës, duke lënë të kuptohet se presidentja Osmani mund të ketë një rol të rëndësishëm në këtë iniciativë.

“Koha kërkon bashkim. Të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike. Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Prandaj, do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh. Që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës. Ato në kohë krizash e përballë fateve të mëdha të së ardhmes, bëhen krejtësisht të parëndësishme. Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim. Një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim. Le ta bëjmë. Do ta bëjmë!”, shkruante Abdixhiku.