Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeko nuk arriti të triumfojë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Pas rezultateve nga KQZ-ja, ai ka uruar Përparim Ramën i cili ka fituar bindshëm në Prishtinë, duke besuar që, siç thotë ai, kryeqyteti të dalë nga kaosi në të cilin është futur.
“Të dashur qytetarë të Prishtinës, Kjo fushatë dhe takimet e mia me ju gjatë gjithë kësaj periudhe kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Ndjesinë e ngrohtë që ma keni dhuruar nuk do ta ndërroja me asgjë. Faleminderit nga zemra për çdo votë dhe për çdo përpjekje që keni bërë për ndryshimin që e besuam bashkë. Jemi shumë, dhe kjo më jep forcë e besim për të ardhmen e Prishtinës. Kjo garë tregoi se sa shumë njerëz e duan një Prishtinë më të mirë. E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur”, ka shkruar Çeko.
Ndër të tjera, ai tha se do të vazhdojë të jetë në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim, për qytetin që thotë, e “quajmë shtëpi”.
“Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, do të sigurohemi që nga opozita në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’u qëndrojmë afër qytetarëve dhe të përcjellim secilin hap që qeverisja e ardhshme do ta ndërmarrë, duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund. Faleminderit ekipit të jashtëzakonshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aktivistëve, vullnetarëve, kandidatëve, shtabit dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për punën, përkushtimin dhe besimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj fushate. Rrugëtimi ynë për një Prishtinë më të mirë vazhdon, me të njëjtin besim dhe dashuri për Prishtinën tonë”, përfundoi Çeko, njofton Klankosova.tv.
The post Vjen urimi i Çekos për fitoren e Ramës appeared first on Klan Kosova.










