Vjen demantimi zyrtar gjerman ndaj Qeverisë: Pajisjet tona nuk u përdorën për zgjedhjet e 9 shkurtit

Tashmë edhe zyrtarisht ka ardhur demantimi ndaj Qeverisë së Kosovës të cilët e dhanë veten ‘të pa faj’ në çështjen e dështimit të softuerit dhe serverëve në Komisionin Qendror Zgjedhor duke thënë se ato ishin donacion nga Gjermania dhe të prokuruara nga OSBE-ja. Kjo pasi pesha e përgjegjësisë për dështimet e mëdha në proces zgjedhor iu përshkrua Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, agjencion qeveritar ky brenda Ministrisë së Brendshme.

Ashtu siç raportoi gazeta Nacionale përmes burimeve të saj, serverët dhe pajisjet gjermane as që ishin përdorur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – dhe se rrjedhimisht, bie poshtë pretendimi i zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Pajisjet e ofruara synojnë të përmirësojnë infrastrukturën e TI-së të KQZ-së, megjithatë, ato nuk përfshijnë pajisje për numërimin e botave. Donacioni është organizuar dhe pajisjet janë blerë nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me financim të siguruar nga Gjermania.

Ambasada gjermane është njoftuar se pajisjet e dhuruara nuk janë përdorur gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Përveç kësaj, ne nuk kemi çfarë të komentojmë”, tha ambasada gjermane në një përgjigje me shkrim për gazetën Nacionale.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kur u ngritën pretendime se agjenci brenda Ministrisë së Brendshme janë përgjegjëse për ngecjet kolosale që ka parë procesi dhe ka shkaktuar konfizuon të madh, e hoq përgjegjësinë, duke thënë se pajisjet ishin donacion nga gjermania dhe OSBE-ja nën menaxhim të KQZ-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.

Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik“, shkroi Kryeziu.