Pas diferencës së madhe të votave të disa kandidatëve gjatë procesit të rinumërimit të votave, është vënë në lëvizje Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Petrit Kryeziu ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se sot ka lëshuar autorizim për Policinë për identifikimin e personave përgjegjës, sigurimin e provave, përfshirë këtu procesverbalet dhe nënshkrimet, krejt kjo pasi siç tha ai janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave.
“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha Kryeziu.
Kryeziu theksoi se çdo person që ka falsifikuar rezultatet përmes vendosjes së nënshkrimit të tij do të mbajë përgjegjësi, pasi manipulimi i votës është krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale.
Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”, tha Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren.
Diferenca e votave veç sa po thellohen. Dallim i madh vihet re te kandidati i PDK-së, Fetah Paçariqi. Tek i njëjti gjatë rinumërimit janë hequr 5,857 vota.
3,318 i janë hequr edhe kandidatit tjetër, Nait Hasani. Ndërsa nga mbi dy mijë vota i janë hequr kandidatëve, Kujtim Gashi dhe Luljeta Veselaj Gutaj.
Lidhur me këto, nga Partia Demokratike e Kosovës, parti ku dhe është dallimi i madh i votave tek disa kandidatë, kanë deklaruar se indikacionet për cenim apo manipulim të votave janë të papranueshme.
Tutje thonë se PDK është e përkushtuar për integritetin e procesit zgjedhor dhe për respektim të votës.
Në anën tjetër, AAK ka kërkuar rinumërim të votave në të gjithë Kosovën.
Diçka të tillë e ka kërkuar edhe Hykmete Bajrami e LDK-së./Reporteri.net/










