Vizita e Kallasit shenjë pozitive, t’i kërkohet heqja e masave – thotë Spahiu

Avni Spahiu, ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, ka folur për vizitën e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në vend gjatë javës së ardhshme.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se kjo paraqet shenja pozitive dhe se diplomates evropiane duhet t’i kërkohet heqja e masave të BE-së, si dhe të ecet para me anëtarësimin e vendit në mekanizmat evropianë.

“Është një ngjarje e cila duhet të shikohet nga prizmi pozitiv, është pjesë e turneut të Kallas që e kishte vizitën e parë në disa prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, është një mundësi e mirë nëse ne duam të prezantojmë pikëpamjet tona dhe të kërkojmë sërish heqjen e atyre që i quajnë sanksionet të Bashkimit Evropian dhe që të kërkojnë që gjërat të përshpejtohen edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në disa prej institucioneve evropiane”, ka thënë Spahiu.

Spahiu ka Serbia është shteti i cili po shkakton destruktivitet në procesin e dialogut me Kosovën.

“Unë mendoj se është një shans i mirë që të thuhet kjo në ndërkohë BE sikur ka nisur të bindet se procesi i deritashëm i dialogut nuk ka shkuar si duhet, se është buzë falimentimit ose dështimit, ose duhet një qasje e re, ose një proces që duhet të nisë nga fillimi, ne shumë shpejt do të shohim se nga do të shkojë kjo, ndonëse kemi problem me qëndrimin evropian ndaj Serbisë, që vazhdon të ketë atë qëndrimin e karotës, që nuk ndëshkon në asnjë mënyrë Serbinë, ndonëse e dimë se çfarë po ndodh atje e dimë vizitën e fundit të presidentit serb në Rusi në Moskë, dhe shumë gjëra të tjera, sesi diplomacia evropiane nuk e ka të qartë se kemi të bëjmë me një destruktivitet të hapur që vjen edhe në procesin e dialogut nga Serbia, Kosova ka treguar konstruktivitetin e vet gjatë tërë këtij procesi, gjërat nuk mund të ecin nëse vetëm njëra palë është e gatshme që të ec procesi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Spahiu.