Vit i zgjedhjeve – qytetarët e Kosovës sot sërish drejt kutive të votimit

Rreth 2 milionë shtetas të Kosovës, me të drejtë vote, sot pritet t’u drejtohen kutive votuese për të zgjedhur përbërjen e Kuvendit.

Qytetarët e Kosovës do të votojnë për herë të dytë brenda këtij viti për përbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Procesi zgjedhor është paraparë të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë gjithçka është gati për zgjedhjet e nesërme.

Ndërkohë dje u votua në përfaqësitë diplomatike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se dje, deri në ora 19:00 ka përfunduar procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike të Kosovës, ndërkohë në orën 01:00 pas mesnatës, sipas kohës lokale në Kosovë, do të përfundojë votimi në 4 përfaqësitë tjera, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radobiqi ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë parregullsi.

Sipas të dhënave nga 25 përfaqësi diplomatike ku është mbyllur votimi, por edhe nga të dhënat e orës 13:00 nga votimi në SHBA dhe Kanada, KQZ-ja thotë se nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29% apo 15,597 votues.

Policia tashmë ka njoftuar se ka hartuar planin operativ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ditës së sotme, në aspektin e sigurisë së procesit zgjedhor dhe koordinimit ndërinstitucional.

Policia inkurajon qytetarët për bashkëpunim dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor. Për mbarëvajtje të këtij procesi zgjedhor janë të angazhuar edhe rreth 100 prokurorë të shtetit.

Qendrat e votimit hapen në orën 07:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00, kur pritet të përfundojë procesi i votimit në mbarë vendin.