Fitorja më e mirë e Brazilit në këtë cikël kualifikues për Botërorin, ajo 5-0 ndaj Koresë së Jugut, solli versionin më të mirë të Vinicius Jr në muajt e fundit; gjithashtu një nga Brazilët më bindës në kohët e fundit. Pas ndeshjes, numri 7 i “Seleçaos” nuk e fshehu gëzimin e tij: “Kjo ecuri na jep vetëbesim të gjithëve. Të gjithë sulmuesit shënuan dhe dhanë asistime, gjë që na ndihmon shumë për Botërorin. Kemi ende disa miqësore përpara, ndaj duhet të përgatitemi sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka mbetur shumë pak. Kemi një trajner të ri dhe kemi fituar ndeshjet me të. Duhet të vazhdojmë kështu”.
Ylli i Real Madridit nuk kurseu fjalët e mira për ish-trajnerin e tij në klub, që tani drejton edhe Brazilin: “Është trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë. Ancelotti më dha më shumë besim, me të kam luajtur futbollin më të mirë timin. Tani që ka ardhur këtu me kombëtaren, kam luajtur tri ndeshje dhe përparimi që kemi bërë, si unë, ashtu edhe skuadra, është i dukshëm. Duam të vazhdojmë kështu, për të pasur një Botëror të shkëlqyer”.
Brazili do të luajë të martën kundër Japonisë në Tokio, skuadra e ka intensifikuar presionin lart në fushë, strategji që po jep fryte. “Objektivi ynë kryesor është të ushtrojmë presion mirë. Luajmë me shumë sulmues, nëse nuk presojmë dhe mbrohemi siç duhet, mund të kemi probleme. Ekipet kundërshtare mund të na sulmojnë nga krahët. Ndihma ndaj mbrojtjes është shumë e rëndësishme. Mbrojtja jonë më e mirë është sulmi ynë”, – përfundoi Vinicius.
The post Vinicius “shenjtëron” Ancelottin: Trajneri më i mirë që kam pasur ndonjëherë appeared first on Telesport.