Vinicius prish marrëveshjen e dakordësuar me Perez, kërkon të paguhet sa Mbappé

Rinovimi i kontratës së Vinícius Júnior ishte mbyllur, ose më mirë të themi dakordësuar. Real Madridi dhe përfaqësuesit e lojtarit brazilian kishin rënë dakord prej javësh për një kontratë të re, që do ta zgjaste marrëveshjen aktuale (e vlefshme deri në 2027) dhe që përmirësonte ndjeshëm kushtet financiare. Mungonte vetëm momenti i duhur për ta zyrtarizuar, por papritur, Vinicius ndryshoi mendim.

Sipas asaj që raportoi Antón Meana në “Cadena SER”, sulmuesi e ka prishur marrëveshjen pasi ka kërkuar që të paguhet sa Kylian Mbappé. Kjo kërkesë i ka befasuar drejtuesit sportivë të klubit, të cilët nuk janë dakord as me lëvizjen e lojtarit, as me mënyrën se si ajo u bë. Në klub mendojnë se kushtet e dakorduara ishin të drejta dhe nuk kanë ndërmend (për momentin) t’i barazojnë shifrat e francezit.

Gazetari Toño García, në të njëjtën radio, shtoi se lojtari ndodhet me pushime i qetë dhe nuk ka nxitim për të rinovuar, por zbuloi edhe shumën që kërkon braziliani: mbi 25 milionë euro në vit, kërkesë që e bën negociatën shumë të vështirë, pasi marrëveshja është larg. Kjo e ndërlikon shumë rinovimin. Meana tha qartë: “Nëse kushti për të qëndruar te Real Madridi është që të fitojë sa Mbappé, atëherë nuk do t’ia japin dhe nuk do të qëndrojë”.

Marrëdhënia mes Vinicius dhe klubit madrilen tashmë ishte delikate. Braziliani vazhdon të thotë se dëshiron “të shkruajë histori” me Real Madridin, por sezoni i fundit ishte i parregullt dhe ndikimi i tij ra ndjeshëm në fund. Ai humbi rëndësinë në fushë, as Xabi Alonso nuk e konsideron më të paprekshëm. Sjellja e tij jashtë fushe gjithashtu ngre dyshime, si brenda dhomave të zhveshjes, ashtu edhe në një pjesë të tifozërisë.

Situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga interesi i vazhdueshëm i klubeve arabe. Në shkurt, përfaqësues të Vinicius u takuan me drejtues të lartë të “Saudi Pro League” në Pragë. Nuk pati një ofertë zyrtare, por u diskutuan shifra marramendëse: deri në 300 milionë euro, për ta kthyer në sportistin më të paguar në planet.

Sipas Ben Jacobs, prej disa javësh sauditët po përgatisin një superofertë prej 350 milionë euro. Opsion që mbetet i gjallë dhe në pritje, në rast se rinovimi dështon. Megjithatë, Toño García thekson se Vinicius nuk ka pasur asnjë kontakt me palën saudite që nga dhjetori i vitit të kaluar, pra prej më shumë se 8 muajsh.

Nga ana tjetër, Real Madridi nuk ka panik. Drejtuesit e bardhë besojnë se oferta tashmë e dakorduar ishte më se e drejtë dhe se Vinicius nuk është në pozicion për të bërë presion. Por me kalimin e kohës, në zyrat e klubit po shqyrtojnë mundësinë e shitjes, nëse mbërrin një ofertë e parezistueshme. Kontrata aktuale e Vinicius skadon në verën e vitit 2027, dhe nëse nuk rinovon, vera e vitit 2026 mund të jetë rasti i fundit për ta shitur me fitim.

Mbërritja e Mbappé i ka tronditur balancat. Në fushë, Vinicius kaloi nga favoriti për “Topin e Artë” në një lojtar të fishkëllyer nga tifozët, pas një fundsezoni zhgënjyes. Jashtë fushe, pavarësisht marrëdhënies së mirë që shfaq publikisht me francezin, Vinicius kërkon të paguhet njësoj dhe nuk ndihet i vlerësuar si blerja e madhe e Florentino Pérez.

The post Vinicius prish marrëveshjen e dakordësuar me Perez, kërkon të paguhet sa Mbappé appeared first on Telesport.