Vincius Junior është kthyer në një çështje më vete te Real Madrid, jo vetëm për shkak të kritikave të shumta ndaj tij për paraqitjen e dobët në Kupën e Botës për Klube, por edhe për tekat e vazhdueshme në lidhje me rinovimin e kontratës.
Kontrata aktuale e brazilianit skadon në vitin 2027, por drejtuesit e Real Madridit janë të gatshëm t’i ofrojnë një rinovim, ku do ketë edhe bonuse të shumta në varësi të objektivave që ai duhet të arrijë, ndërsa rroga do mbetet po 15 milionë euro në sezon.
Nëse deri para pak ditësh, braziliani kërkonte të paguhej në kontratën e re 20 milionë euro në sezon, 5 milionë euro më shumë sesa dy yjet e tjerë të ekipit, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe, së fundmi sulmuesi ka rritur kërkesat e tij, duke kërkuar 30 milionë euro në sezon. Braziliani është i vetëdijshëm se vlera e tij në treg është shumë e lartë, dhe për më tepër, klube si PSG, Manchester City apo dhe klubet arabe kanë treguar tashmë interes për ta joshur atë me një rrogë shumë më të madhe sesa ajo që merr në Madrid.
Ky veprim i tij nuk është pritur mirë në zyrat e “Los Blancos”. Florentino Perez dhe pjestarët e tjerë të bordit të Real Madridit e interpretojnë këtë veprim të sulmuesit, si një lloj testimi për të bërë presion për një largim të mundshëm pa kosto ose për një rinovim me kushtet e tij, diçka që klubi nuk është i gatshëm ta lejojë.
Nëse rinovimi nuk finalizohet në muajt e ardhshëm, drejtuesit e Real Madridit janë të gatshëm ta nxjerrin në shitje, sepse ata janë të bindur në vizionin e tyre që asnjë lojtar nuk vjen para klubit. Ndaj, Vinicius Junior ose duhet të rinovojë sipas kushteve të klubit, ose ndryshe do përfundojë në merkato.
The post Vinicius Junior nuk është “normal”, zbulohet arsyeja pse braziliani po refuzon të rinovojë me Real Madridin appeared first on Telesport.