Vinícius Jr. pa fishkëllima, por sërish pa gola. Braziliani e zgjeron “thatësirën” në 18 ndeshje

Viti 2026 për Vinícius Júnior ka nisur me dëshirën për të kthyer faqe, pas një periudhe të vështirë, por shifrat vazhdojnë të jenë shqetësuese. Sulmuesi brazilian u paraqit në sfidën ndaj Betisit me 14 ndeshje pa gol me Real Madridin, që bëhen 17 duke përfshirë edhe kombëtaren, pas fishkëllimave të dëgjuara në “Santiago Bernabéu” në ndeshjen e fundit të vitit 2025 kundër Sevilla.

Për të sqaruar gjendjen e tij shpirtërore, Vinícius kishte publikuar një mesazh pozitiv në rrjetet sociale: “Qoftë një vit i jashtëzakonshëm 2026! Hala Madrid gjithmonë! Ju dua”. Dhe sinjalet e para nga tribuna ishin inkurajuese. Në momentin kur emri i tij u shpall nga altoparlantët e stadiumit, fishkëllimat pothuajse munguan.

Në pjesën e parë, Vinícius tregoi disa shkëndija të lojtarit vendimtar: krijoi raste, ishte i rrezikshëm në krah dhe protestoi për një penallti të paakorduar. Megjithatë, me kalimin e minutave, ndikimi i tij në lojë ra ndjeshëm. U bë më pak pjesëmarrës, humbi inciativën dhe një moment shpërqendrimi i tij kontribuoi në golin e Betisit për 3-1.

Edhe pse Real Madridi arriti fitoren, paraqitja e Vinícius mbeti nën pritshmëri. Vetëm një rast i krijuar, pak driblime të suksesshme dhe një goditje jashtë kuadratit. Në fundin e pjesës së dytë, trajneri Xabi Alonso vendosi ta zëvendësonte me Arda Güler. Braziliani përshëndeti trajnerin me qetësi dhe u drejtua drejt tunelit të stadiumit pa shfaqur shenja nervozizmi.

Thatësira tashmë shkon në 15 ndeshje radhazi pa gol me Real Madridin, duke e çuar totalin në 18 ndeshje pa realizim në të gjitha kompeticionet. Një moment delikat për Vinícius Jr., sidomos në një fazë kyçe të sezonit dhe me rinovimin e kontratës ende të paqartë, ndërsa aktualisht ndodhet vetëm 18 muaj nga skadenca.

The post Vinícius Jr. pa fishkëllima, por sërish pa gola. Braziliani e zgjeron “thatësirën” në 18 ndeshje appeared first on Telesport.