Neymar është gati për rikthimin e madh. Sipas raportimeve të “Globo”, ylli brazilian 33-vjeçar figuron në listën paraprake të të thirrurve nga trajneri Carlo Ancelotti. Ai pritet të jetë pjesë edhe e listës përfundimtare për dy ndeshjet e shtatorit. “Seleção”, tashmë e kualifikuar në Botërorin 2026, do të ketë sërish në dispozicion një nga yjet e vet më të ndritshëm.
Në mars, sulmuesi ishte përfshirë në listën preliminare, por një dëmtim e detyroi të tërhiqej. Në qershor, Ancelotti nuk e thirri fare për grumbullimin e parë zyrtar, duke sqaruar se kishte marrë atë vendim pas një bisede të drejtpërdrejtë me ish-sulmuesin e Barcelonës dhe PSG-së.
Javët e fundit, Neymar ka rikthyer shkëlqimin dhe vazhdimësinë në lojë. Dygolëshi i fundit në kampionat kundër Juventude ka konfirmuar formën e mirë, duke e bindur ish-trajnerin e Milanit dhe Real Madridit që t’i rihapë dyert e kombëtares.
Pas asaj ndeshjeje, vetë futbollisti nuk e kishte fshehur dëshirën për ta veshur sërish fanellën e Brazilit: “Stilin tim e njohin të gjithë, jam i gatshëm, ndihem ende mirë. Tani varet prej tyre”.
Tani, rikthimi i tij në kombëtare duket vetëm një hap larg. Një shans për “hakmarrje” sportive dhe mundësi për t’i dhuruar vetes edhe një herë skenat e mëdha ndërkombëtare.
The post Vinicius jo, Neymar po. Trajneri Ancelotti, gati ta rikthejë yllin e Santosit në kombëtare appeared first on Telesport.