Vinicius, hero dhe martir… Mourinho: Pse nuk e feston golin si Di Stéfano apo Pelé?

Vinicius ishte protagonisti i “Da Luz”, shënoi një gol spektakolar pas asistit të Mbappé dhe udhëhoqi pothuajse i vetëm sulmin e Real Madridit. Pas festimit në këndore, tifozët reaguan duke hedhur objekte, ndërsa ai u kthye duke treguar vetëm numrin 7 në fanellë.

Situata u tensionua pas një përplasjeje me Prestianni. Vinicius denoncoi tek arbitri François Letexier një fyerje raciste dhe u aktivizua protokolli. “Prestianni e quajti pesë herë ‘majmun’ Vinicius, e pashë vetë”, – deklaroi Mbappé, ndërsa u vu re edhe gjesti i lojtarit argjentinas që mbuloi gojën me fanellë.

Braziliani shkoi në stol me synimin për ta braktisur ndeshjen. Në mes të tensionit u shfaq Mourinho për ta qetësuar. “Ke shënuar një gol të jashtëzakonshëm. Pse nuk feston si Di Stéfano apo Pelé?” – shpjegoi më pas trajneri, i cili foli edhe me Prestiannin dhe kërkoi ekuilibër: “Secili thoshte versionin e tij”.

Ndeshja rifilloi, por atmosfera tashmë ishte e rënduar. Prestianni u zëvendësua mes duartrokitjeve, ndërsa çdo prekje e topit nga Vinicius u shoqërua me fishkëllima. Në goditjen e fundit nga këndi u hodhën sërish objekte dhe njëri goditi brazilianin. Arbitri lejoi lojën të vazhdonte, duke shpresuar që makthi të përfundonte.

Ndërkohë pati edhe një debat thjesht sportiv me Otamendi. Mbrojtësi argjentinas i tregoi tatuazhin e Kupës së Botës, ndërsa Vinicius iu përgjigj duke treguar 15 Champions-et e Real Madridit. Në fund, mbrëmja la dy imazhe: lojtarin vendimtar dhe atë që denoncoi sërish racizmin. Në rrjetet sociale ai shkroi: “Racistët janë mbi të gjitha frikacakë…”

The post Vinicius, hero dhe martir… Mourinho: Pse nuk e feston golin si Di Stéfano apo Pelé? appeared first on Telesport.