“Viktima qytetarët”, Ejupi: Bizneset po e përdorin shtrenjtimin e rrymës si pretekst për ngritje të çmimeve

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP), Burim Ejupi ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e fundit të çmimit të energjisë elektrike me gjashtëmbëdhjetë pikë një për qind në Kosovë, duke theksuar se kjo do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve, raporton KosovaPress.

Sipas Ejupit, kjo rritje është duke u përdorur nga shumë biznese si pretekst për ngritje të përgjithshme të çmimeve, që rëndon edhe më shumë shportën e konsumatorit. Ai thekson se inflacioni ka arritur dhjetë për qind sipas ATK-së, çka tregon për përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike.

Gjithashtu, Ejupi thekson për KosovaPress se rreth gjashtëmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë për qind të të ardhurave të qytetarëve shpenzohen për pagesat e energjisë elektrike.

Në përgjigje të kësaj situate, Ejupi ka kërkuar nga qeveria që të gjejë forma të tjera ndihme për qytetarët, për të lehtësuar ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në buxhetin e familjeve kosovare.

“Bizneset e kanë shfrytëzuar këtë situatë, ose si pretekst që menjëherë kanë filluar që t’i rrisin çmimet. Kjo ndikon, për arsyeje se inflacioni sipas ATK-së gjatë këtij muaji ka arrit në 10 për qind, d.m.th shporta e konsumatorit në produktet bazë është shtrenjtuar. Dhe tash me shtrenjtimin e rrymës, qytetari, zakonisht kur dihet që rroga mesatare është më pak se 800 euro në të gjithë sektorët, i bie që tash do të jetë shumë vështirë për qytetarin e Kosovës, për një apo dy rrogë, një familje që të kalojë muajin me muaj. Është pretekst i bizneseve, se çmimi i rrymës është shtrenjtuar për 16 për qind, por disa furra e kanë shtrenjtuar bukën për 20 për qind. Kjo është ekonomi e lirë e tregut, por qytetarët tash duhet të shikojnë prioritetin në cilin shpenzim me jap”, thekson Ejupi.

Ejupi paralajmëron se ndikimi më i madh mund të bjerë mbi bizneset prodhuese vendore, të cilat për shkak të kostos së rritur të energjisë do ta kenë të vështirë të konkurrojnë me produktet e importuara.

Si zgjidhje afatgjatë, Ejupi theksoi nevojën për investime në efiçiencë energjetike dhe në burime alternative të energjisë.

Ai shtoi se energjia më e lirë është ajo që nuk konsumohet, dhe theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të projekteve strategjike për energjinë.

Ejupi nënvizon se qytetarët janë viktimat përfundimtare të këtyre zhvillimeve dhe do të detyrohen të bëjnë zgjedhje të vështira në buxhetin familjar.

Nga një maji ka hyrë në fuqi vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike prej gjashtëmbëdhjetë – pikë një për qind. Ky vendim është kundërshtuar nga qytetarët dhe partitë që deri më tash ishin në opozitë. Ndërsa, padia ndaj ZRRE-së u dorëzua në fillim të këtij muaji. /E. Krasniqi.