Vieri: Napoli është skuadra për t’u mundur, por Interi ka organikën më të plotë në Serie A

Christian Vieri flet për sezonin e ri të Serie A. Ish-sulmuesi i shuqar italian bëri prognozën e tij në faqet e “Gazzetta dello Sport”: “Napoli ka fituar titullin sezonin e kaluar dhe në teori do të ishte skuadra për t’u mundur, por sot, edhe para përfundimit të merkatos, organika më e plotë dhe më e thellë e gjithë Serie A është ajo e Interit. Kanë mbetur të gjithë ata lojtarë që katër muaj më parë mundën Barcelonën në një natë të pabesueshme. Po, pastaj ishte finalja e Mynihut, por 5-0 ndaj PSG nuk e fshin vlerën e grupit zikaltër”.

Chivu, njeriu i duhur: “Plagët pas finales së Champions-it kanë qenë të thella, por koha shëron gjithçka. Tani zikaltrit duhet të mendojnë për fitimin e trofeve që iu kanë shpëtuar, duke kujtuar se të luash dy finale Champions-i në tri vite nuk është normale. Pranoj se zgjedhjen e Chivu si trajner nuk e prisja. Pas Simone Inzaghit imagjinoja një trajner më me përvojë, por Interi bëri mirë që ndoqi rrugën e tij. Cristian është i ri, ka ide të qarta, lidership dhe e njeh ambientin. Tani do ta shohim në punë, jam vërtet kurioz”.

Merkatoja e Interit: “Duke nisur nga fakti që nuk ka mbaruar ende, duhet të theksojmë se zikaltrit i kanë mbajtur të gjithë lojtarët kryesorë. Kjo është një pikënisje shumë e rëndësishme. Pastaj, Lookman… Unë do të përpiqesha ta merrja deri në fund, sepse është një nga më të fortët në Europë dhe do ta bënte skuadrën zikaltër më të fuqishme”.

The post Vieri: Napoli është skuadra për t’u mundur, por Interi ka organikën më të plotë në Serie A appeared first on Telesport.