Instituti për Studime të Luftës Hibride “Octopus” mbajti sot një konferencë për media me temën: “Vidovdani midis Mitit dhe Gjeopolitikës: Roli i tij në Projektin Kombëtar Serb”.
Albanologu i Institutit të Albanologjisë, Zymer Neziri theksoi përvetësimin e shenjtorëve të hershëm nga Kisha Ortodokse Serbe për qëllime nacionaliste, duke përmendur mënyrën se si Vidovdani përdoret për të ndërtuar narrativën historike serbe rreth Kosovës.
“Kisha serbe këtë shenjtor nga Sicilia e përvetëson si të ishte serb dhe e përdor për qëllimet politike bashkë me serbët në ditën e Vidovdanit më 28 qershor. Dy shenjtorë të Dardanisë janë pjesë e historisë sonë që 20 shekuj. Qëllimi i kësaj kumtese është që të dëshmojmë se kisha dhe shteti serb përvetësojnë edhe shenjtorë për qëllime nacionaliste dhe shoviniste, madje edhe në vendin e krimit një shekullor tashmë. Fillet e krishtërimit dhe dënimet me vdekje nga Perandoria Perandorake për mohuesit e barbarizmit ishin të shpeshta. Vidovdani tek serbët sot e kanë një këngë, kjo këngë natyrisht thotë “Në qiell shikoj shekujt kalojnë, kujtimet e kahershme i vetmi ilaq, nga do të shkoj ty të kthehem përsëri, pra Kosovë, kush do t;ma rrëmbejë Kosovën nga zemra ime.’ Kjo lidhet edhe me kohën e Millosheviqit kur iu mor autonomia Kosovës, është Vidovdani 1989. Politika shtetërore serbe është një instrument politik serb pas Millosheviqit dhe Vuçiqit dhe sigurt vijnë edhe të tjerë. Është një politikë për t’u mburrur para brezave me fitoren e pa qenë, për të mohuar fitoren e tjetrit dhe për të mohuar koalicionin me fqinjët dhe për të kthyer humbjen në fitore”, tha Neziri.
Kurse historiani gjerman Stephan Keck foli për rëndësinë historike dhe simbolike të datës 28 qershor, duke përmendur lidhjet mes Betejës së Kosovës më 1389, atentatit ndaj Franc Ferdinantit më 1914 dhe Traktatit të Versajës më 1919.
Ai theksoi se përmes mitologjizimit të historisë, dhuna dhe ndarja etnike shpesh përdoren si instrument politik në rajone të brishta si Ballkani dhe Azia Jugore.
“Duke filluar nga një këndvështrim i historisë globale, data 28 qershor është një ditë e veçantë në histori, e cila në botën serbe shpeshherë festohet. Edhe vetë data në kalendar është interesante. Gjatë shekullit të kaluar, siç e dinë shumë prej jush, më 28 qershor 1914 u vra Franc Ferdinand. Pesë vjet më vonë, po më 28 qershor, u nënshkrua Traktati i Versajës. Dhe nëse përdorim kalendarin gregorian për t’u kthyer pas në vitin 1389, sigurisht kemi Betejën në Fushën e Kosovës, një nga betejat më të mëdha të Mesjetës. Perandoria Osmane, siç e dinë ndoshta të gjithë këtu, udhëhiqej nga Murati I, i cili u vra në atë konflikt. Ajo u përball me një ushtri serbe të udhëhequr nga Princi Lazar, i cili gjithashtu humbi jetën. Në fakt, ishte hera e vetme në historinë e gjatë të Perandorisë Osmane që një sulltan u vra në një betejë. Pak dihet realisht për këtë betejë, por supozohet se të dyja palët dolën të rraskapitura dhe se beteja nuk ishte vendimtare. Megjithatë, ajo mbetet ikonike për Ballkanin – Perandoria Myslimane që sulmon serbët e krishterë, të dy udhëheqësit vriten në Fushën e Kosovës.
Sipas tij, Beteja e Kosovës shumë shpejt u kthye në një subjekt mitologjik.
“Studiuesit sot e kuptojnë se dhuna, e udhëhequr nga banda të rinjsh hindu dhe myslimanë, ishte e paramenduar dhe e organizuar mirë. Nga të dyja anët, dhuna ishte e pritur. Ajo nuk kishte të bënte me besimin fetar, por me pushtetin dhe dominimin. Por kur vrasjet përfunduan, të paktën 4,000 njerëz ishin të vdekur dhe 100,000 të tjerë kishin mbetur pa shtëpi. Lagjet e përziera të qytetit nisën të zhdukeshin. Për disa komunitete, zona që më parë ishin të përbashkëta u bënë vende ku nuk mund të shkohej më. Masakrat e Kalkutës janë kuptuar si një lloj “teatri politik” – një teatër për të siguruar që hindu dhe myslimanët të mos mund t’i besonin më njëri-tjetrit. Dhe në këtë mënyrë, synohej të dëshmohej se një Indi e pavarur nuk mund të zhvillohej ndryshe, përveçse në formën e dy shteteve të ndara. Dhe nëse masakrat e Kalkutës do të kishin qenë një rast i izoluar, ndoshta do të harroheshin. Por dhuna vazhdoi në një valë në qytete të ndryshme të Azisë Jugore, të Indisë, kudo ku ajo përhapej”, deklaroi Keck.
The post Vidovdani: Mit, gjeopolitikë dhe projekt kombëtar serb appeared first on Kosovapost.net.