Albin Kurtit me staf në Kryeministri u janë rritur shpenzimet për 829 për qind nga viti 2021 deri në 2024. Këto kanë të bëjnë kryesisht me dreka, darka, shpenzime, telefonë, udhëtime e të tjera. Albin Kurti i dhjetorit të vitit 2020, dy muaj para se t’i fitonte zgjedhjet me mbi 50 për qind të votave, tegonte se si do të kursente, po të mos dilte Lidhja Demokratike e Kosovës nga koalicioni, përmes së cilit ky një herë ishte bërë kryeministër.
Në një takim me partinë e tij, Kurti u fliste aktivistëve për një “botë” ku do të qeveriste Lëvizja Vetëvendosje. Teksa fajësonte LDK-në për prishjen e koalicionit, Kurti kishte treguar se çka do të ndryshonte, po të ishte kryeministër.
Mes tyre, edhe “heqjen e privilegjeve”, ku sipas tij, me kursimin nga shpenzimet në telefonë, makina, udhëtime zyrtare dhe dreka e darka, do të kursoheshin 300 mijë euro, transmeton Nacionale.
“Me zvogëlimin e numrit të ministrave, zëvendësave, këshilltarëve e asistentëve, ne do të kursenim 1.4 milion euro në vit. Me përgjysmimin e pagave të qeveritarëve, do të kursenim 1.1 milion euro në vit. Nga heqja e privilegjeve, shpenzimeve me telefona, makina, udhëtime zyrtare, dreka e darka, do të kursenim edhe 300.000 euro të tjera. Pra qeveria jonë kursente 2.8 milion euro çdo vit, vetëm si kabinet. Ishte sukses, por edhe detyrë e jona, sepse votuesit deshën një kabinet të vogël, meqenëse Kosova është vend i varfër” – kishte thënë ai.
Kurti u bë kryeministër, shpenzimet u rritën mbi 800%
Shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës kanë ndryshuar shumë përgjatë vitit të fundit të qeverisjes të Albin Kurtit, me një rritje prej 829 për qind krahasuar me vitin e parë të qeverisjes. Të dhënat janë siguruar nga televizioni Dukagjini përmes një kërkese për qasje në dokumente publike drejtuar Zyrës së Kryeministrit.
Në vitin 2021, gjatë nëntë muajve të parë, Kurti dhe stafi i tij kishin shpenzuar vetëm 3,425 euro për dreka. Ndërsa në vitin 2024, kjo shumë është rritur ndjeshëm, duke arritur në 112,332 euro – një rritje prej 32 herësh. Kjo nënkupton një shpenzim mesatar ditor prej 307 eurosh vetëm për dreka dhe darka, thuajse sa paga minimale mujore në Kosovë.
Shpenzimet janë rritur në të gjitha kategoritë: bileta udhëtimi, mëditje, derivate, akomodim dhe shërbime telefonike. Në total, ZKM harxhoi:
33,962 euro në vitin 2021 (mars-dhjetor)
192,369 euro në vitin 2022
208,893 euro në vitin 2023
315,588 euro në vitin 2024
Shpenzimet për bileta udhëtimi janë rritur nga 2,783 euro në vitin e parë, në 62,995 euro në vitin 2024. Ndërsa për mëditje, nga 5,000 euro në 2021, stafi i Kryeministrit ka marrë 39,485 euro në vitin 2024. Shpenzimet për telefon kanë lëvizur mes 3,000 dhe 9,000 euro në vit, gjithmonë nga stafi, pasi Kurti vetë nuk ka përdorur këtë benefit.
Në kategorinë e akomodimit, kryeministri Kurti shpenzoi rreth 23,000 euro në vitin 2024, ndërsa stafi i tij mbi 46,000 euro. Për bileta aeroplani, nga totali prej 76,736 euro të paguara në 2024, rreth 63,000 euro u shpenzuan nga stafi dhe mbi 13,000 euro nga vetë Kurti.
Megjithatë, gjatë gjithë mandatit, Albin Kurti ka refuzuar të përfitojë nga mëditjet dhe shpenzimet për telefon, duke mbetur konsekuent në këtë aspekt të transparencës financiare personale.
Edhe pse nuk është sqaruar saktësisht sa persona përfshihen në kategorinë “stafi i Kryeministrit”, të dhënat tregojnë për një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve institucionale nga viti në vit, gjë që ngre pyetje për menaxhimin e buxhetit publik në nivelin më të lartë qeveritar.