Video | Makina shpërthen në flakë para Bashkisë së Elbasanit

Një makinë ka shpërthyer në flakë gjatë mesditës së kësaj të hëne në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur përpara godinës së bashkisë, e cila është nën rikonstruksion.

Burime bëjnë me dije se mjeti ka shpërthyer në flakë në momentin që ka qenë në lëvizje. Siç duket nga këto pamje, mjeti është përfshirë tërësisht nga flakët dhe si pasojë herë pas here dëgjohen shpërthime.

Shoferi pasi ka parë që makina është përfshirë nga zjarri, ka ndaluar dhe e ka braktisur në mes të rrugës. Deri më tani nuk raportohet për ndonjë person të plagosur.

Paraprakisht dyshohet se zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm, por ka ndodhur si pasojë e një defekti teknik. Në vendin e ngjarjes ka shkuar zjarrfikësja që ka bërë të mundur shuarjen e flakëve.

Informacioni i policisë:

Më datë 11.10.2021, rreth orës 13:00, në rrugën “Thoma Kalefi”, Elbasan, mjeti tip “Ford”, me drejtuese shtetasin E.A., 62 vjeç, banues në Elbasan , në ecje e sipër ka marrë flakë dhe për pasojë mjeti është djegur plotësisht .Si pasojë e flakëve nuk ka dëme në njerëz.

Grupi hetimor ndodhet në vendgjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

/tvklan.al