Interi nuk shpërdoron rastin e artë të barazimit të Napolit. Skuadra e Chivu fiton në Parma, aty ku trajneri zikaltër ishte sezonin e shkuar dhe arriti shpëtimin nga rënia në kategori. Mjaftuan dy gola për pjesë, ai i Di Marcos në fund të pjesës së parë dhe ai i Thuram në fund të ndeshjes.
Në fakt, rezultati mund të kishte qenë më shumë i thellë pasi rastet e miqve ishin të shumta për të shënuar më shumë gola me dy shtylla, pritje të portierit dhe sidomos gabime para portë. Për vendasit, vetëm një mundësi e mirë, në pjesën e parë.
Chivu, që e nisi duke lënë në stol Zielinski, Thuram, Bastoni dhe Barella, arriti të bëjë një mini-rotacion teksa në pjesën e dytë do të hidhte në fushë të gjithë veç Bastonit, që e la pushim. U rikthye nga dëmtimi edhe Acerbi, i aktivizuar në fund. Me këtë fitore, Interi shkon kështu 42 pikë, 4 më shumë se Napoli dhe se Milani, por kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e tyre nesër ndaj Genoas. Ndërkohë, Napoli do të përballet me zikaltërit në San Siro të dielën.

The post (VIDEO) Dy gola dhe raste të shpërdorura, Interi nuk fal dhe tenton “arratisjen” në krye! appeared first on Telesport.










