Videnoviq: Serbia dëshiron ta marrë Kosovën me forcë dhe ta përfundojë gjenocidin e filluar

Ivan Videnoviq, profesor i së drejtës në Universitetin e Beogradit dhe kritikues i njohur i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka ngritur alarmin për ndikimin e thelluar të Kishës Ortodokse Serbe në politikën shtetërore dhe për afërsinë e rrezikshme të Serbisë me Rusinë.

Në një reagim publik, Videnoviq ka kritikuar ashpër takimin e fundit mes patriarkut serb Porfirije dhe presidentit rus Vladimir Putin, takim që u zhvillua në Kremlin.

Ai e ka cilësuar këtë si shenjë të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Kishës Ortodokse Serbe në orientimin gjeopolitik të vendit, në dëm të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.

“Kuptojmë qartë se kjo nuk është thjesht diplomaci fetare, por përfshirje e drejtpërdrejtë e Kishës në projektin politik të Aleksandar Vuçiq, i cili e orienton Serbinë drejt një blloku autoritar,” tha Videnoviq.

Ai komentoi disa imazhe të publikuara së fundmi që tregojnë:

Imazh ku shihet Harta e Kosovës. “Ta marrim Kosovën me forcë dhe ta përfundojmë fillimin e gjenocidit”.

Ushtarë serbë me simbolin “Z” – i përdorur nga forcat ruse në luftën në Ukrainë – duke mbajtur flamurë me ikonografi fetare dhe slogane nacionaliste.

Ushtarë të tjerë të gjunjëzuar në një kishë para ikonave ortodokse, në një përzierje të drejtpërdrejtë mes ushtrisë dhe fesë.

Patriarku Porfirije në një tryezë zyrtare me presidentin rus Vladimir Putin, në një takim që thellon lidhjet politike dhe ideologjike mes Kishës serbe dhe Kremlinit.

Sipas Videnoviqit, Serbia e Vuçiqit po largon vendin nga rruga drejt Bashkimit Evropian, duke e orientuar kah një projekt fetaro-nacionalist me mbështetje nga Rusia.

Foto 1: “Ta marrim Kosovën me forcë dhe ta përfundojmë fillimin e gjenocidit”

Flamuri përmban një mesazh politik dhe simbolik që lidhet me çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë flamur shfaqet harta e Kosovës, por është e mbuluar me ngjyrat e flamurit serb (kuq, blu dhe bardhë) dhe stemën kombëtare të Serbisë (shqiponja me dy koka dhe kurora mbretërore).

Mbi të është shkruar në gjuhën serbe, me shkronja cirilike që përkthehet në “Nuk ka dorëzim”.

Foto 2: “Të jesh xhemahiria e sektit Shën Sava”

Kjo pamje tregon një grup ushtarakësh serbë, të gjunjëzuar në një ambient të brendshëm që duket të jetë një kishë ose hapësirë fetare, me ikona ortodokse në mur.

Prania e ushtarëve në uniformë brenda një hapësire të tillë tregon për një përzierje të thellë mes institucioneve shtetërore (ushtria) dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Foto 3: “Të jesh një kurvë e bindur ruse”

Në këtë foto shfaqet një grup ushtarësh të veshur me uniforma ushtarake, ndërsa disa prej tyre mbajnë një flamur të kuq me ikonografinë e Krishtit dhe një mbishkrim në cirilik.

Njëri nga personat në qendër mban një bluzë me simbolin “Z”, i cili është përdorur si simbol pro-rus në kontekstin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ky imazh, që ilustron lidhjet mes elementeve ushtarake, religjioze dhe nacionaliste, përforcon kontekstin e kritikës së profesorit Ivan Videnovic, i cili ka denoncuar përzierjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe afërsinë me interesat ruse, si dhe retorikën e rrezikshme që përfshin Kosovën.

Foto 4: “Të jesh pjesë e botës ruse në ndarjen e ardhshme globale të interesave”

Kjo pamje tregon presidentin rus Vladimir Putin në një takim zyrtar me udhëheqës të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë patriarkun Porfirije.

Takimi i zhvilluar në një ambient luksoz, përforcon narrativën që ka ngritur profesori Ivan Videnovic: përfshirjen e drejtpërdrejtë të Kishës Ortodokse Serbe në diplomacinë ndërkombëtare, në linjë me interesat e Rusisë.