Vetura godet dy mjeke gjatë protestës në qendër të Beogradit

Gjatë heshtjes prej pesëmbëdhjetë minutash, dy mjekë u goditën nga një veturë. Ata janë në gjendje stabile. Policia është në vendngjarje, raporton media serbe “Nova.rs”.

Partia serbe “Fronti i Gjelbër i Majtë” ka publikuar një video ku shihet një grua duke u goditur nga një veturë.

Ata thonë se vetura është ndaluar dhe se policia është në pritje.

Si në javët e kaluara, edhe sot, mjekët e punësuar në Institutin e Shëndetit Mendor në Beograd kanë dal në orën 11:52 për të nderuar viktimat në Novi Sad. Në këto 15 minuta heshtje, u paraqit një veturë në rrugë dhe goditi me shpejtësi dy mjekë, transmeton Paparaci.

“Vetura nuk është ndalur dhe ka goditur një mjeke, specialiste në psikiatri dhe një kolege të re, specializante. Ato fatmirësisht janë në gjendje stabile. Policia ka arritur menjëherë për të përcaktuar se çfarë kishte ndodhur. Ne jemi mjekë që merremi me gjendjen mendore të pacientëve dhe tani kush do të na ndihmojë kur jemi në tronditje dhe ankth të tillë”, ka thënë për “Nova.rs” një mjek nga ky institut, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.

Partia serbe “Liri dhe Drejtësi” ka postuar një video në Twitter ku shihet një veturë me targa të Smederevës ku ndodheshin dy të rinj, me informacionin se ata kishin goditur mjekët./Paparaci.com