Vetura e goditi dje në Prizren, 57 vjeçarja po trajtohet në QKUK për shkak të rrezikut për jetë – Drejtuesi i automjetit është ndaluar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje (e shtunë), rreth orës 17:25 në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren.

Lajmin për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur si pasojë e ngasjes së pakujdesshme dhe mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.

“Drejtuesi i një automjeti me targa vendore, gjatë lëvizjes, me pjesën frontale të automjetit ka goditur një këmbësore, e cila në atë moment po kalonte rrugën në vendkalimin e shënuar për këmbësorë”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka thënë se këmbësorja, 57 vjeçare ka pësuar lëndime të rënda trupore.

“E njëjta është dërguar me autoambulancë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Prizrenit, ndërsa për shkak të rrezikut për jetë është transferuar për trajtim të mëtejmë në QKUK në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij, drejtuesi i automjetit është ndaluar, ndërsa hetimet janë në vazhdim”, ka thënë Bytyqi. /Lajmi.net/