Presidenti Ilir Meta dekretoi sot kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ndryshimeve në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.
Duke argumentuar kthimin e këtij ligji, Meta tha se “ndryshimet cënojnë parimet dhe standardet e vendosura në ligjin ekzistues”.
“Ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standartet e ligjit në fuqi”, vlerësoi Presidenti.
Rishikimi i ligjit ekzistues përmes këtyre ndryshimeve, sipas Metës, bën të mundur që, kompetencat e realizimit të procesit të vlerësimit kalimtar të forcave policore dhe atyre të Gardës së Republikës, t’u hiqen komisioneve të pavarura teknike dhe t’i jepen Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një organ ky në varësi të drejtpërdrejtë të Ministrit të Brendshëm.
“Dispozitat e ligjit nr.20/2019, cënojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik.
Po ashtu, sipas tij, “eleminohet detyrimi ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar, duke krijuar kështu mundësinë e zgjatjes së tij pa afat dhe një terreni të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut) nga struktura e SHÇBA-së”./atsh