Në emër të partisë merren vendet e punës me e pa meritë dhe kjo jo në pak institucione. Pas punësimeve në ministrinë e Jashtme, Kiksi gjen militantë të Vetëvendosjes edhe në listat e punëtorëve të KOSTT-it.
KOSTT është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore dhe totalisht i pavarur nga prekjet politike të pushtetit, por realisht, i kujt është KOSTT-i?
Në punësimet e periudhës 2023 – 2025, lista me 63 punëtor të rinj, del të ketë afër 10 militantë të Vetëvendosjes, dhe kjo fillimisht dëshmohet me publikimet e tyre në rrjete sociale dhe mbështetjen e pa rezervë për partinë në pushtet, Vetëvendosje, raporton Kiks Kosova.
Alban Fetahu, i punësuar në nëntor të vitit 2023, në pozitën e drejtorit të operimit të tregut.
Fetahu, ende pa i dëgjuar mirë e mirë pyetjet tona, zgjodhi të ndërpres telefonatën. Duket se nervoz e bëri fillimi i pyetjes krejt legjitime nga gazetarja e Kiks Kosovës.
A pati të drejtë që të nervozohet Fetahu?
Në profilin e tij në Facebook, Fetahu nuk e fsheh përkrahjen e tij për Vetëvendosjen. Madje, në festën e 16 vjetorit të Republikës së Kosovës, Fetahu shfaqet krah për krah me kryeministrin Kurti.
Fetahu duket se s’është rehatuar shumë me vendet e punës së fundmi. Kjo sepse brenda pak viteve, konkretisht brenda qeverisjes së Vetëvendosjes, Fetahu ishte i punësuar në Radio Televizionin e Kosovës, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe bordin e ndërmarrjes publike të Ibër Lepencit.
Në RTK, Fetahu kishte marr pozitën e udhëheqësit të Shërbimeve të Përbashkëta. Në MINT ishte i deklaruar si ‘Ministër Këshilltar’ në Expo-Dubai në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në formularin e deklarimit nga Agjencia Kundër Korrupsionit, data e emërimit të Fetahut në këtë pozitë është 25 shtator 2021 ndërsa data e dorëzimit 31 mars 2022, ku nënvizohej se shpenzimet e banimit dhe ushqimit mbulohen nga buxheti i EXPO 2020, dhe se gjatë periudhës së shërbimit do të banoj në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kur ishte angazhuar në bordin e Ibër Lepencit, mediat kishin shkruar se një anëtar i VV-së, mik i ministrit të Financave, Hekuran Murati, rehatohet në bord.
Se Fetahu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati janë miq të afërt, e dëshmon edhe kjo fotografi ku shihen gati të përqafuar për një selfie.
Mehdi Arifaj i punësuar më 16 shtator të 2024-ës, në nënstacionin e Istogut, nuk e fsheh fare bindjen e tij politike.
Mehdia, vëllai i Mentor Arifajt, kandidat i Vetëvendosjes për deputet dhe zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, kishte publikuar një fotografi të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti.
Padyshim se postimet e tjera shihet krejt i relaksuar duke pirë kafe me kandidatin për deputet apo duke shpërndarë postime të partisë.
Në thirrjen e parë, Arifaj refuzoi totalisht të përgjigjet duke e ndërprerë telefonatën.
Duket se Arifaj kishte nevojë që të konsultohej me dikë se çfarë të fliste, dhe nuk shkoi gjatë e na thirri prapa.
Fatos Demiljaj, i punësuar në KOSTT, më 20 tetor të 2017-ës, kishte shkruar në Facebook, “bindja e saj u bë sot edhe binda jonë”. Kjo duke iu referuar motrës së tij, e cila kishte kandiduar për asambliste të komunës së Deçanit, Nurimshahe Demailjaj.
Madje, Demalijaj në postimin e tij, përveç motrës, i kishte edhe disa të preferuar tjerë nga lista e Vetëvendosjes.
Ani pse postimet e thoshin të kundërtën, Demalijaj kundërshtoi se është përkrahës i partisë në pushtet. Ndonëse në platformën e tij sociale kishte shpërndarë e publikuar postime të cilat direkt e indirekt e tregonin përkrahjen e tij për Vetëvendosjen, edhe Donat Mirena zgjodhi të mos jap një përgjigje të qartë nëse punësimi i tij është bërë në baza partiake.
Mirena, i cili filloi punën në KOSTT me 16 janar të 2025-ës, tha se “edhe muj me kanë mbështetes edhe mos muj mos me kanë”.
Nga kjo listë e punësimit të 63 personave, Kiks Kosova ka arritur të gjejë vetëm disa nga ta, duke qenë se shumica e tyre janë të pa qasshëm në rrjetet e tyre sociale dhe institucioni, deri në momentin e publikimit të kësaj storje, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të emisionit lidhur më këto punësime.